Deputetët marrin rroga rreth 1500 euro, por thonë se nuk u dalin?!

0

Deputetët e kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në muaj marrin 1335 euro rrogë.

Por vallë sa e meritojnë atë?

Shpesh herë disa deputetë kapen nga kamerat duke luajtur loja me celularët e tyre.

Disa vetëm hynë në sallat e komisionit dhe dalin menjëherë, ndërsa ka raste kur edhe i zë gjumi në seancë plenare.

I pyetëm qytetarët se çfarë mendojnë për punën e deputetëve.

Sa ju besoni deputetëve?

“Aspak”.

Përse?

A e meritojnë rrogën?

“Mendoj se nuk e meritojnë”.

A ndiqni seancat kuvendore?

“Jo nuk i përcjelli”.

Sa ju besoni deputetëve në parlament?

“Shumë”.

A e meritojnë rrogën deputetët?

“E meritojnë pse jo, pasi i voton populli e meritojnë”.

“Me shumë gjasa po. Ndoshta mundohen të bëjnë aq sa kanë hapësirë”.

Nga Instituti për demokraci, i cili vëzhgon punën e Kuvendit thonë se deputetët në seancat kuvendore debatojnë në nivel të ulët të argumentimit pasi që argumentet i bazojnë në emocione. Vlora Reçica nga ky institut thotë se problemi nuk është te mos prania e deputetëve në kuvend, por debati i ulët që zhvillohet në seanca dhe komisione.

“Shumë rrallë ndodh që deputetët të përdorin dy apo më shumë argumente gjatë fjalimeve të tyre që është njëri prej problemeve më kryesore për shkak se deputetët nuk kanë konstruksion. Gjatë fjalimeve të tyre nuk përdorin fjali të plota, nuk kanë argumentime të plota”, deklaroi Vlora Reçica nga Instituti për Demokraci.

Deputetët arsyetohen se debati kryesor bëhet nëpër komisione dhe se në seancë plenare ngjarjet vinë të paketuara dhe të kompletuara ku vetëm votohen ligjet.

“Kjo krijon një lehtësim që në seancë plenare ne të jemi më të lirë. Ne jemi shumicë parlamentare dhe kur vinë çështjet në seancë plenare janë të përgatitura për të kaluar sa më shpejtë”, theksoi Rexhail Ismaili, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Puna në Kuvend është mjaft dinamike. Është e pamundur që një deputet të gjitha aktivitetet që zhvillohen këtu. Ka një mangësi që nëse i referohemi përvojës të parlamenteve të shteteve tjera ku deputetët janë të paisur me asistent”, potencoi Syrja Rashidi, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Për fat të keq, niveli i diskutimit në kuvend është shumë i ulët dhe varet nga neve se sa do të lejojmë.” Emocionet janë normale, sidomos për disa zgjidhje ligjore që po hyjmë në luftë, për atë që jemi të njoftuar më tepër”, tha Ivana Tufegxhiq, deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Disa prej deputetëve, nuk vinë fare në Kuvend. Sipas Nenit 30 të Rregullores për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputeti i cili mungon në seancë 3 herë pa e informuar kryetarin i hiqen 5% nga rroga. Deri më sot vetëm deputeti Nikolla Gruevski ka qenë i dënuar për këtë.

I pyetëm edhe disa prej deputetëve për atë se a e meritojnë rrogën që e marrin?

Gazetarja: A mund të themi se e meritoni rrogën që e merrni në fund të muajit?

“Duhet të vlerësoje opinioni. Nuk dua të jap vlerësim mund të jam subjektiv”, theksoi deputeti, Syrja Rashidi.

“Me harxhimet të cilat na i japin plotësisht mund të mbulojmë harxhimet të cilat i bëjmë për shkuarje dhe ardhje në parlament. Po duhet ta kemi parasysh se ne jemi deputetë se harxhimet i kemi pak më të mëdha. Gati çdo ditë kemi takime me njerëz dhe normal është obligim dhe përgjegjësi e deputetit se ndoshta i bie që një herë në jetë të takohet me deputet dhe nuk është normale që ta qerasi me një kafe, pasi ata janë votues tanë”, u shpreh deputeti, Rexhail Ismaili.

“Unë do të thosha se po, pasi kuvendi punon me intensitet të madh”, tha Ivana Tufegxhiq, deputete.

Sipas raportit ‘Deputeti Im’, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018  Nikolla Gruevski ka marrë pjesë vetëm 4 herë në seancë kuvendore, më pak se të gjithë deputetët tjerë. Më pas ndër të parregulltit radhitet lideri i PDSH-së Mendu Thaçi, i cili në Kuvend është parë vetëm nëntë herë, kurse asnjëherë nuk ka dal në foltore. Me mungesa të shumta janë edhe deputetët Kërsto Mukovski dhe Boris Zmejkovski.  Lideri i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela 35 herë ka qenë i pranishëm, ndërsa dy herë ka marr fjalën në seancë plenare. Nga ana tjetër Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti 19 herë ka shkuar në kuvend, por në asnjë seancë plenare nuk e ka marrë fjalën.

Përgatiti: Arbana Q.Klimenta/TV21