Deputeti gjerman: Harrojeni korrigjimin e kufijve, ide e rrezikshme

0

Deputeti i parlamentit gjerman, Peter Beyer, anëtar i CDU e kancelares Angela Merkel, ka pohuar se Gjermania nuk e përkrahë idenë për korrigjimin e kufirit në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kancelarja, Angela Merkel, ka bërë të qartë – ajo nuk është vetëm shefja e partisë, ne ndajmë të njëjtin mendim – vërtet është një ide e keqe dhe shumë e rrezikshme që të bëjmë ndarje në baza të grupeve etnike”, tha Beyer
Ai ka theksuar se një ide e tillë mund të ketë një efekt domino.

“Është shumë e rrezikshme pasi mund të hapen temat edhe tek Republika Srpska, pastaj nuk mund të harrojmë është Ukrainën për Krimenë. Do të ishte një mesazh shumë i gabuar dhe i rrezikshëm. Shumë qartë e refuzojmë këtë ide”, tha Beyer.

Bayer gjithashtu ka dhënë edhe një alternativë të mundshme, që sipas tij, ishte diskutuar më parë.

“Kemi bërë propozime për modele të ndryshme. Njërin prej modeleve do ta përsëritja sërish. Modeli gjermano-gjerman. Atëherë kemi pasur dy Gjermani dhe kanë mbijetuar në mënyrë paqësore. Nuk është ndjekur kjo ide, ka arsye te ndryshme mirëpo nuk do të ishte keq të mendohej për këtë”.

“Megjithatë, nuk është çështje e jona të përzihemi dhe të sjellim ide të reja mirëpo kemi përgjegjësi që të drejtojmë apo të udhëzojmë shtetet në proceset e integrimit evropian”, tha deputeti gjerman.