Deputeti i AAA-së:Do të kërkojmë të prishet konkursi për Avokatin e Popullit! Naser Zyberi s’mund t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve

0

Nominimi i kandidatit për Kryeministër Naser Zyberit për Avokat të Popullit është tallje e rëndë e BDI-së me qytetarët, theksoi shefi i grupit parlamentar të koalicionit ASH-AAA, Skender Rexhepi-Zejd në emisionin “Click Plus” në TV21.

“Si pritni të mbrohen të drejtat e qytetarëve përballë institucioneve shtetërore nga një person i cili është kryekëput i Qeverisë. Kandidati për kryeministër po emërohet Avokat i Popullit kjo është tallje me qytetarët dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk e di cili qytetarë nesër do të shkoj të kërkojë drejtësi në këtë institucion”, theksoi Rexhepi-Zejd.

Ai theksoi se partia e tyre nuk do të përkrah ligjin për legalizimin e marihuanës, që është një propozim i mbështetur nga kryeministri Zaev.

“Çdo mendje e shëndoshë nuk do t’i përkrahë. Nuk besoj se do të kenë shumicën e deputetëve që do ta përkrahin për t’i mbrojtur bizneset e dikujt e ndërkaq pasojat t’i përjetojnë qytetarët”, tha Rexhepi-Zejd.

Ai shprehur shqetësimin edhe për qytetarët pa shtetësi që sipas tij, është një e drejtë humane elementare që po keqpërdoret nga ana e MPB-së. (INA)