Serie A sjell sonte “Derby d’Italia” në kuader të javës së 23-të.
Përballja, e cilësuar si derbi më i madh italian, do të zhvillohet në “Guiseppe Meazza”, me fillim prej orës 20:45, shkruan Gazeta Express.
Interi, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, prin në tabelë me 54 pikë, kurse Juventusi është i dyti me vetëm një pikë më pak.
Të dy skuadrat do të hyjnë në ndeshje me formë fantastike, pasi në pesë xhirot e fundit në kampionat kanë regjistruar katër fitore e një barazim.
Të dy këto skuadra gjithashtu kanë vetëm nga një humbje në Serie A këtë sezon, të pësuar ndaj Sassuolos. “Zonja e Vjetër” ishte mposhtur në javën e pestë, kurse “Nerazzurrët” në të gjashtën.
Derbi i parë i këtij sezoni, që ishte zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar në Torino, ishte mbyllur baras – 1:1.
Andaj, duke marrë parasysh se thuajse gjithçka është e barabartë mes Interit dhe Juventusit këtë sezon në Serie A, përballja e sontme pritet të jetë tejet e fortë dhe interesante, teksa mbetet të shihet në fund se cili do të jetë rezultati përfundimtar.