Artan Grubi me letër lamtumire, pas futjes në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të marrjes së ryshfetit bashkë me gjykatësin Enver Bexheti, për të shpëtuar nga lëndët gjyqësore ish kreun e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov.
Grubi, thotë se ka vendosur të tërhiqet nga jeta publike për të mos u bërë barrë politike. Në letrën e tij, thotë se ndihet i pafajshëm.
“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën”, tha Artan Grubi.
Por, vendimi i DASH e thotë të kundërtën. Sipas të njëjtit, Grubi sanksionohet në bazë të nenit 7031(c) i cili aplikohet në raste kur SHBA ka siguruar prova për përfshirjen e ndonjë funksionari të huaj në korrupsion madhor. Sanksioni, për Grubin dhe familjarët e tij, sipas nenit 7031(c) është ndalesa e përhershme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky, llogaritet si ndëshkim i rëndë vetëm për zyrtarët publik më të korruptuar kudo në botë nga ana e SHBA-së, me qëllim të luftimit të korrupsionit.
Po si arriti Grubi deri te Lista e Zezë? E tërë procedura që vjen në shprehje aplikimi i nenit 7031(c) për ndonjë funksionar, bëhet në bazë të shqyrtimit të rasteve të korrupsionit në botë nga ana e Departamentit të Shtetit në lidhje me ndikimin e tyre mbi interesat kombëtare të SHBA-së.
Futja në Listë të Zezë në bazë të nenit 7031(c), ndodh për 3 arsye, të cilat natyrisht bazohen mbi prova të besueshme.
1: Të kërkuarit, pranuarit apo dhënien e parave, dhuratave, apo përfitimeve të tjera personale në shkëmbim të favoreve të ofruara për shkak postit.
2: Përvetësimin e fondeve publike
3: ndërhyrje në procese gjyqësore, zgjedhore apo procese publike.
Arsyet e përfshirjes në Listën e Zezë sipas 70 31(c)
Marrje/dhënie ryshfet
Përvetësim të fondeve
Ndërhyrje në gjyqësore
Kufizimet e këtilla, bëhen me qëllim të kufizimit të vizave kundër kleptokratëve, apo përfaqësuesve qeveritar të cilët përdorin pushtetin politik për të përvetësuar pasuritë e kombit të tyre.
Për peshën që ka ky vendim i amerikanëve të cilët futën në Listën e Zezë dorën e djathtë të Ali Ahmetit, Artan Grubin tregon edhe fakti se ambasada amerikane në Shkup për herë të parë thirri konferencë për media për çështjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit. /Alsat.mk