Dëshmitari X, Xhafaj: Qytetari i sajuar dixhital, po hetojmë çështje të ndjeshme

0

Opozita “ka lënë në fuqi” kërkesën e saj për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, por ministri i Brendshëm duket se nuk është shqetësuar aspak, edhe pse dje në selinë blu u zbulua identiteti i Albert Veliut dhe ai dëshmoi lidhur me raportin e tij me Agron Xhafajn.

Ministri i Brendshëm u shfaq në zyrat e Task-Forcës në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” me ambasadoren gjermane Susanne Schütz në krah dhe iu përgjigj me qetësi pyetjeve të gazetarëve.

Lidhur me dëshminë e Veliut në selinë e PD, Xhafaj tha se “këtu jemi ne vendin e Task Forcës speciale kurse atje jemi në vendin e sajesave dixhitale”.

“Detyra e tyre është të punojnë për qytetarin dixhital të sajuar. Ata kanë zgjedhur atë rrugë, unë rrugën time. Për mua është e rëndësishme të vijoj detyrën time me Prokurorinë speciale dhe Policinë speciale”, theksoi Xhafaj.

Përsa i përket çështjes së Arbër Çekajt dhe kriminalitetit tek shqiptarët në Gjermani, ai tha se qytetarët tanë “nuk janë nga pikëpamja e statistikave ndër vendet që zënë dhe kanë një peshë të rëndësishme në krimin e zhvilluar në territorin gjerman nga të huajt”.

“Përjashto emigracion e paligjshëm, shqiptarët renditen në vendin e 15 në Gjermani. Ka probleme në fushën e trafikut të qenieve njerëzore dhe vjedhjes së banesave e mjeteve motorike”, deklaroi Xhafaj.

Por për ministrin, është pikërisht kjo Task-Forcë dhe ajo Antiskifter në bashkëpunim me policinë gjermane që do të zgjidhin problematikat e shfaqura.

“Është rasti për të theksuar mbështetjen e veçantë që Ministria e Brendshme dhe Policia gjermane po na ofrojnë në luftën kundër krimit të organizuar. Mbështetja ka qenë jo thjeshtë në këshilla dhe rekomandime, por asistencë në hartimin e gjithë kësaj strategjie dhe kontribute konkrete në çështje të caktuara. Kemi disa çështje nën hetim me policinë gjemrnae. Janë çështje shumë të ndjeshme. Pala gjermane po jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë e vlerësoj shumë prezencën e ambasadores”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Edhe ambasadorja Schütz vlerësoi bashkëpunimin me Task-Forcën kundër krimit të organizuar duke thënë se qëllimi i vizitës së saj ishte të informohej “për punën e bërë” dhe ka marrë përshtypje shumë pozitive.

“Kemi arritur rezultatet e para me Task-Forcën dhe do ta mbështesim më tej. Lufta kundër krimit është diçka shumë e rëndësishme për integrimin në BE”, tha ajo.

Komentet

komentet