Liderët serbë ende vazhdojnë të mohojnë masakrën e shkaktuar në Reçak. Madje presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe vartësit e tij deklaruan se “masakra e Reçakut është një trillim”.
Krahas dëshmisë nga vendi i ngjarjes në ditën e masakrës nga shefi i misionit të atëhershëm i OSBE-së, William Walker, edhe një i ri shqiptar që në kohën kur ndodhi masakra ishte vetëm 14 vjeçar posedon një mori dokumentesh që argumentojnë masakrën serbe mbi popullatën civile të Reçakut. Gojart Bajrami, në një rrëfim për Ekonomia Online tregon se prindi i tij, tashmë i ndjerë Vezir Bajrami, ishte mjeku që hasi i pari në viktimat e Reçakut dhe bashkë me ekipin mjekësor bëri identifikimin e 45 trupave të masakruar. Ai tregon se në dokumentet e shkruara të lëna nga prindi i tij bëhen të ditura detajet se në çfarë gjendje ishin viktimat.
Pamjet sipas dorëshkrimeve të doktorit të luftës ishin tronditëse dhe të paimagjinuara. Aty thuhet se viktimat fillimisht janë keqtrajtuar, mandej janë vrarë me armë zjarri nga afërsia për t’u masakruar me mjete të forta, si sopat, thika, bajoneta e jo çka tjetër. “Mbaj mend që ka qenë shumë e vështirë edhe për neve duke pasur parasysh gjithë këto rrethana dhe mbi bazën e asaj çfarë kam dëgjuar nga prindi im unë marr të drejtën sot pas 21 vjetëve të flas pak se si kishte ndodhur kjo masakër e përshkruar detajisht nga mjeku i kësaj zone, prindi im dr. Vezir Bajrami. Gjendja e të masakruarve sipas prindit ka qenë shumë e rëndë. Fillimisht ata i kanë keqtrajtuar me mjete të rënda, të topitura, me mjete të forta, pastaj ka ndodhur edhe vrasja e tyre. Pas vrasjes edhe masakrimi i tyre në afërsi, thotë ai”.
“Prindi tregon dhe është e ditur botërisht se masakra e Reçakut është përcjell edhe me filmime dhe video. Ka pasur të masakruar pa zemër, pa kokë, kokën e rrjepur, me bajonetë, të therur me thika. Përshkrimi i plagës detale në atë kohë kujtoj se ka qenë e rëndë për prindin tim t’i përmend detajet. Unë posedoj edhe një dorëshkrim të prindit që e ka përshkruar në detaje masakrën e Reçakut, prej mëngjesit të 15 janarit deri në përfundim të saj dhe pas leximit të atij dorëshkrimi dhe gjithë atyre rrëfimeve që i kemi dëgjuar prej tij kam mbërri ta kuptoj që gjendja emocionale gjatë atyre ditëve ka qenë shumë e rëndë për prindin tim”, -thotë ai.
Por si ndodhi ?
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që i kanë mbijetuar krimit, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaft të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.
Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit nisën arrestimet dhe vrasjet e njëpasnjëshme.Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.
Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në bodrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin një plak dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë dhe futen në oborr.
Dëshmitarët okular thonë se aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë dhe disa burra e të rinj.Ndërsa burrat e tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve .Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry në bodrum.
Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborri, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.
Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë është biseduar në radiolidhje.
Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa arritën të shpëtojnë vetëm 5 burra të fundit bë rresht.
Të shumtë ishin të vdekurit e për këtë “Masakra e Recakut ” do të kujtohet gjithnjë për ata që arritën të shpëtojnë gjallë e të tjerë që e kanë dëgjuar ndër vite si një njollë e zezë që ra mbi Kosovën e Kosovarët nga Serbia.
BE, SHBA e Kosova kanë reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, i cili masakrën e vitit 1999 në Reçak të Kosovës, e cilësoi “gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm”.
Mohimi i masakrës së Reçakut nga zyrtarë të qeverisë së Serbisë ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë dhe tek autoritetet ndërkombëtare, të cilët janë kundërpërgjigjur duke thënë, se masakra e Recakut është një mizori e dokumentuar mirë. Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili masakrën e Reçakut e quajti “gënjeshtër” erdhi menjëherë reagimi i zëdhënësit të përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili theksoi, se “masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999-n”. “Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Peter Stano.
Reagime ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”, thuhet në një reagim të Departamentit Amerikan të Shtetit. “Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thekson DASH.
Deklarata e ministrit të Brendshëm serb
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin një ditë më parë masakrën e Reçakut, e quajti “gënjeshtër”, ndërsa vrasjen e civilëve shqiptarë si “falsifikim”. Këtë deklaratë Vulin e bëri në një lokacion afër qytetit jugor serb të Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak. Siҫ tha Vulin “pretendimi për masakrën është fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.
Osmani: Vulin përpiqet të ndryshojë faktet historike
Ndaj këtyre deklaratave reagoi ashpër edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me një deklaratë për medie, ku theksohet, tha se “mohimi nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”. Presidentja Osmani tha se Aleksandër Vulin, “me propagandë po përpiqet t’i ndryshojë faktet historike”.
“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vulinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, deklaroi presidentja Osmani. Sipas Osmanit, “e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagandë e Vulinit dhe bashkëmendimtarëve të tij”.
“Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë”, vazhdon në reagimin e saj presidentja Osmani.
Reagim pati edhe nga ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra në janar të vitit 1999. William Walker, që në atë kohë kryesonte misionin vëzhgues të OSBE-së, u shpreh, se “përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë”.
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi”, deklaroi Walker. Në vitin 1999 William Walker pas vizitës në vendin e masakrës mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se “ajo që kishte parë, ishte një krim i rëndë kundër njerëzimit”.
Pas gjithë këtyre reagimeve ridoli me një deklaratë për medie shfaq ministri serb i Punëve të Brendshme Aleksandër Vulin. Të shtunën (11.12.), ai reagoi ndaj kritikave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë. Sipas Vulin, “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.
“Të mëdhenjtë po zemërohen me serbët, të cilët nuk frikësohen të thonë të vërtetën, sidomos të vërtetën e cila tregon se sa të mëdhenjtë ishin të vegjël para popullit tonë. Filmat nga Kosharja, Pashtriku, Reçaku i xhiruam që zemërimi i fuqive të mëdha dhe frika e disa serbëve të mos e vrasin të vërtetën”, deklaroi Vulin në një njoftim të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Vulin tha se “është krenar që është pjesë e luftës për të vërtetën”. “Jam i gatshëm që për këtë të paguaj çmimin edhe politik edhe personal. Koka ime është çmim i vogël për të drejtën e serbëve që për shkak të gënjeshtrave të të tjerëve të mos turpërohen para fëmijëve të vet”, tha Aleksandër Vulin.
Forcat policore e ushtarake serbe në Kosovë, më 15 janar 1999, vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte edhe gra e fëmijë. Kjo masakër ishte momenti kryesor që solli vendimin e NATO-s për të filluar intervenimin ajror ushtarak ndaj Serbisë për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.