Dështimi i bojkotit, çmendet Aleksandar Vuçiç: Kërcënon ministrin e ri serb të Kosovës!

Ka 48 orë që krerët e Beogradit po kërcënojnë bashkëatdhetarët e tyre në Kosovë, të cilët kanë hyrë në Kuvend dhe qeveri.

Një zhvillim që tregon se e gjithë strategjia e bojkotit, ishte një bllof; i ngjashëm me manovrën Basha- Kryemadhi në Shqipëri kur dogjën mandatet.

Ata bojkotuan për shantazh, për t’u kthyer prapë, por institucionet e Kosovës kanë mbushur menjëherë vakumin e krijuar, duke zëvendësuar 10 deputetët e larguar, si dhe ministrin që u takon serbëve në qeverinë e Kosovës.

Albin Kurti emëroi Nenad Rashiqin në postin e ministrit për kthim dhe minoritete, një politikan serb që ka përkrahur gjithmonë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Në këtë lëvizje, duket se ka dorë direkt Perëndimi, posaçërisht SHBA dhe Gjermania, të cilët e krijuan Kosovën si një shtet multietnik, e jo si një shtesë e Beogradit.

E gjithë kjo situatë ka acaruar tej mase Serbinë, aq sa Aleaksandër Vuçiç po sulmon ashpër Bashkimin Europian, dhe ka nisur një fushatë kërcënimi ndaj çdo serbi në Kosovë që po bëhet pjesë e institucioneve në Prishtinë.

Vuçiç ka urdhëruar ministrin e tij të Brendshëm, Bradislav Gashiq, që të ‘trashë zërin’, në mënyrë që serbëve t’u duket se flet autoriteti policor.

Gasiq, përveçse e ka cilësuar një “tradhëtar” Nenad Rashiqin, ka sulmuar BE-në.

“Sot patëm rastin për të disatën herë të shohim se si zbatohen standardet dyfishe dhe shkelet marrëveshja detyruese ndërkombëtare e nënshkruar në Bruksel nga BE-ja dhe aleati i tyre, terroristi Albin Kurti. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka mbështetjen time të plotë, si nga unë personalisht ashtu edhe nga të gjithë anëtarët e MPB-së. Ministria e Punëve të Brendshme do t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Serbisë dhe nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë e tyre” – tha Gashiq.

Ndërkaq, Aleksandër Vuçiç, akuzoi direkt Brukselin se po mban qëndrime të ashpra kundër Serbisë.

“Unë kam heshtur për muaj e vite, duke vuajtur marrëzitë e të gjithë rajonit. Ai llum terrorist duhet të kishte marrë dënimin e merituar nga Bashkimi Europian, i cili po e llaston. Sigurisht që nuk e kuptoj.

Albin Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet me Brukselin”, ka deklaruar Vuçiç, duke humbur toruan në mënyrë të çuditshme.

Presidenti serb nuk se është ndonjë talent politik, por deri tani duhet thënë se ka vepruar me kujdes, duke ruajtur qetësinë dhe ekuilibrat. Por tani ka shpërthyer, pasi lëvizja që ndërmori me bojkotin e Listës Serbe i ka rezultuar një bllok total./Bota Sot