Dështimi thelbësor i qeverisjes Zaev!

0

Nga Alpin OLLOGU/

Me fillimet e publikimit të përgjimeve, të ashtuquajturat ”bombat e Zaevit”, lindi domosdoshmëria e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe këtë reformë kryeministri Zoran Zaev e shndërroi kalë beteje në aspiratën e ngjitjes drejt pushtetit. Proceset e montuara gjyqësore; vendimet e dirigjuara në lëndët penale dhe civile; emërimet brutale të gjykatësve dhe prokurorëve nga politika dhe në shërbim të politikës dhe parasë, të dëshmuara edhe nga skandali i përgjimeve, me fillimin e qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri aktual, u bë emergjente reformimi i sistemit të drejtësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky sistem i shkatërruar i gjyqësorit, fatkeqësisht në mënyrë të vazhdueshme po rrjedhon legjitimimin e korrupsionit dhe krimit të gjithanshëm brenda shtetit, ashtu si në kohën e qeverive të kaluar. Për të vazhduar me pasojat e varfërimit të mëtejshëm të popullatës, si dhe pasigurisë në jetën dhe shendetit publik, ngase kriminaliteti nëpërmjet rryshfetit dhe ndikimit politik, e blen drejtësinë dhe e bën popullatën viktimë klasike të saj, karakteristike kjo e vendeve të treta të botës. Varfërimi i popullatës si rrjedhojë e konsiderueshme e korrupsionit brenda shtetit, turpëron edhe premtimet pompoze elektorale të kryeministrit për ngritjen e standartit të jetesës, edhe pas më shumë se dy viteve qeverisje.
Premtimet dhe “angazhimet” në reformimin e gjyqësorit nisen me emërimin e kryeministrit Zaev si kreu i Këshillit për Monitorimin e Zbatimit të Strategjisë për Reformën e Sektorit të Drejtësisë, reforma të premtuara të cilat edhe pas dy vitesh qeverisje, me plotë të drejtë mund të themi se janë totalisht të dështuara. Jo rastësisht kryeministri këto ditë dha dorehëqje nga kreu i këtij këshilli, për tu zëvëndësuar nga Ministrja e Drejtësisë. Nëse puna do të shkonte mirë dhe të kishte rezultate pozitive, skishte pse të japë dorëheqje. Megjithatë, gjendja në praktikën e funksionimi të sistemit të drejtësisë, dëshmon vetë arsyen e dorëheqjes. Ndërsa kur flitet për ndonjë rezultat pozitiv të mundshëm në gjyqësor, flitet vetëm në rrafshin e legjislacionit, sepse në praktikën e zbatimit të drejtësisë, është krejt diçka tjetër, që fatkeqësisht kryeministri s’ja ka idenë apo qëllimshëm s’dëshiron t`ja ketë idenë se si duhet të rregullohet çështja me drejtësinë. Sipas të gjitha gjasave kjo ndodh për të siguruar pushtetin qeveritar me mundësinë e kontrollit të subjekteve të drejtësisë, subjekte të cilat më një reformë të vlerësimit të figurës dhe profesionalizmit – vetingu në drejtësi, të figurës, nuk do të mund të bëheshin dora e zgjatur e askujt, aq më pak e figurave politike.
Kriminaliteti dhe montimet gjyqësore brenda shtëpisë së drejtësisë thuajse kanë avancuar. Jemi dëshmitarë se si luhet për shembull me vendimet gjyqësore në lidhje me personat e amnestuar të sulmit në organin legjislativ të 27 Prillit, gjë të cilën e pohon vetë prokurorja e lëndës Vilma Ruskoska për ndërhyrjen e politikës në epilogun gjyqësor të kësaj lënde, ku ajo thotë: “Edhe ngjarjet u zhvilluan në Parlament, dhe amnistia u dha nga Kuvendi. Mund të ketë një justifikim për atë që kanë bërë, por nuk do të doja të përsëritej dhe politika sërish të ndërhynte në gjyqësor” . Pastaj taktizimet në lidhje me Prokurorinë speciale e cila u përdor dhe mundohet të përdoret si mjet politik për të shantazhuar politikisht në interesa të planeve kryeministrore, dhe jo për një drejtësi të paanshme dhe efikase. Duke vazhduar me procedimin dhe vendimet taktizuese me ish funskionarë të VMRO-së të akuzuar me dëshmitë e përgjimeve, apo thjesht taktizimet me gjithë gjyqësorin dhe prokurorinë publike, kur në pyetje janë figura të rëndësishme politike dhe të fuqisë financiare.
Ndjekjet dhe akuzat penale nga intitucione shtetërore, siç bën Antikorrupsioni, Policia financiare, Ministria e punëve të Brendshme, e të tjera, pa pasur një sistem gjyqësor efikas, janë ndjekje dhe akuza nulle, të pavlefshme, nëse ata nuk konkretizohen me vendime të drejta gjyqësore dhe procedime të duhura të organit të akuzës, e që fatkeqësisht ka ndodhur ajo që sduhej të ndodhte, ato kanë mbetur vetëm propaganda boshe të luftës për drejtësi, teatër qeveritar.
Integrimi në strukturat evropiane, pa një reformë të mirëfilltë në gjyqësor, është vetëm një endërr e bukur e kryeministrit. Sigurisht, në NATO do të jemi pjesë, do të japim përqindjen tonë financiare për aleancën ushtarake, mund të bëhemi edhe mish për top në misione ndërkombëtare, por kjo sdo të ulë varfërinë dhe pasigurinë publike, pa punuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, pa pasur investitorët e huaj besueshmëri në sistemin e drejtësisë. Këtë mund ta shohim më së miri ne një krahasim me R.Shqipërisë, ku ajo taniëe disa vite me radhë që është pjesë e NATO-s, por që përsëri varfëria e theksuar dhe kriminaliteti ka vazhduar. Prandaj ishte e nevojshme nisja e reformës serioze në drejtësi, me mbykqyrje dhe garancë nga SHBA-të, me anë të mekanizmit të vetingut, për të vendosur themelet e shtetit të shëndoshë juridik.
Në Maqedoninë e Veriut me të ashtuquajturën reformë në gjyqësor, që premtoi para disa vitesh kryeministri Zaev, përkundrazi është betonizuar dhe trimëruar pozita e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar dhe të paaftë, të cilët fatkeqësisht sistemi i ka bërë të shumtë, dhe që janë po të njejtët të trashëguar nga qeverisja Gruevski. Nuk kanë lëvizuar nga vendi, pos që është bërë diku rotacion fiktiv brenda gjyqësorit. E ashtuquajtura reforma në drejtësi e propaganduar në fushatën elektorale të kryeministrit, ju dha garanci de fakto prokurorëve dhe gjyqtarëvë të kriminalizuar, se ata do mbeten të paprekshëm, dhe se pasurimi dhe dirigjimi i tyre në interesa të ndërsjellta mes gjyqësorit, politikës dhe fuqisë kriminale pasurore, është kthyer në ligj të pashkruar.
Përpjekja për të larguar një pjesë të barrës së këtij dështimi të reformave në drejtësi, bëri qe kryeministri në mënyrë të heshtur të japë dorëheqje nga pozita e kryesuesit të trupës për reforma në gjyqësor, si një dorëheqje disfatiste, dështim të cilit i shtohet edhe humbja zgjedhore e LSDM-së në garën presidenciale, duke pasur parasysh raundin e parë zgjedhor të zgjedhjeve presidencale, ku partia e Zaevit pa llogaritur votat e shqiptarëve, del humbëse e konsiderueshme në krahasim me votat e VMRO-së. Kjo jo vetëm duke humbur vota të trupës elektorale shqiptare brenda LSDM-së, por duke humbur edhe vota nga elektorati maqedonas, për faktin e thjeshtë se zhgënjimi i popullatës është evident, si në dështimin e ngritjes së standartit të jetesës, ashtu edhe në mosreformimin e drejtësisë.
Me azaret që bënte dhe po bën qeveria, kryesisht partia më e madhe qeverisëse e Zaevit – LSDM-ja, me personat e akuzuar nga përgjimet, pazare të nënkuptuara nëpërmjet Prokurorisë Speciale, Prokurorise Publike dhe gjykatave, si mekanizëm që De Fakto tanimë kuptohet dirigjimi nga pushteti kryeministror, në lidhje me të akuzuarit dhe të dënuarin si Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij, si në mundësinë e largimit të tyre duke i lënë në mënyrë antiligjore të mbrohen në liri, moskonfiskimin e pasurisë së zhvatur popullatës apo punës inekzisente të Prokurorit të ri të përgjithshëm, Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve, të cilët për më shumë se dy vite në qeverisjen e re, ishin thuajse të paralizuar duke mos ndjekur dhe vënë para drejtësise figura të korrupsionit galopant në shtet (përjashtuar disa raste të Prokurorisë Speciale me të cilët edhe u taktizua), që në një vend normal të shtetit të së drejtës, do ishte gjë e pamundur të ndodhte.
Për shembull vetëm ta paramendojmë funksionimin e Prokurorisë Themelore Publike, ku edhe pas nje vit e gjysmë që kur Ministria e Drejtësisë i dorëzoi raportin e kontrollit të sistemit AKMIS për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore, prokuroria akoma zvarritet, vazhdon hetimet për skandalin e shpërndarjes së lëndëve në gjykatat e Maqedonisë së Veriut, duke mos dalë akoma me një përfundim se a është keqpërdorur sistemi i shpërndarjen së lëndëve apo jo! E sigurisht që prokuroria vonesat nuk i ka të paqëllimshme, në prokurorinë që ne kemi fatkeqësisht. Ndërkaq kujtojmë se në raportin e Pribesë u tha: “ka përceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”. Gjithashtu Ministria e Drejtësisë në raportin e saj konstatoi se në Gjykatën Penale dhe atë Supreme, janë shpërndarë lëndë në mënyrë manuale dhe jo sipas programit që bën shpërndarjen automatike të lëndëve.
Mos flasim pastaj për aktgjykimet e padrejta, jo të barabarta të sanksioneve penale, vetëm e vetëm duke u bazuar në përkatësinë etnike, fuqinë financiare dhe pozitat publike të pjesëmarrësve në këto procese gjyqësore, siç është akgjykimi me vrasësin maqedonas të vogëlushit shqiptar Armir, rast për të cilën lënda u bë publike dhe pati shumë reagime. Por sa e sa lëndë të tjera janë të heshtura dhe skanë pasur fatin të gjejnë dritën e informimit publik, për të zbuluar punën mjerane të organeve të drejtësisë. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, mund ta kenë shtyrë kryeministrin të japë dorëheqje nga kreu i trupës për reforma në sistemin e drejtësisë, gjithmonë në tentimin për ti siguruar vetes një llojë shfajësimi në sytë e atyre që i shohin gjërat sipërfaqsisht, ngase thelbësisht, kryeministri është përgjegjës i dështimit të reformës edhe pa qenë i emëruar kryetar i këtij këshilli. Gjithsesi, përgjigjen dhe reagimin elektoral LSDM-ja e mori në zgjedhjet e fundit, me humbjen në garën zgjedhore me VMRO-në, por edhe në humbjen e elektoratit shqiptar (në raundin e parë të garës presidenciale).
Në këto rrethana është e kotë që Zaevi të arsyetohet me punën e dobët të disa funskionarëve, duke u perpjekur të shpëtojë dhe arsyetohet me reforma “fshesash”, kur në fakt ai duhet të bëjë reforma të mirëfillta në drejtësi, ku patjetërsueshëm të vërë në punë mekanizmin e vetingut të subjekteve të drejtësisë, për të bërë “fshesë” brenda shtëpisë së gjyqësorit, të një pjese të konsiderueshme të prokurëve dhe gjyqtarëvë që janë bazamenti i krimit dhe mosfunksionimit të aparatit shtetëror, po edhe për të nxjerrë në pah ata subjekte të drejtësisë që nuk janë korruptuar dhe që janë ushqyer ndershëm. Por që kryeministri këtë nuk mund ta bëjë. Ska vizion dhe kuptohet as dëshirë, e kjo është e dukshme. Për të, reforma në drejtësi qe ne fillim ka nënkuptuar rrotacion të kryetarëve të gjykatave, të gjykatësve dhe prokurorëve brenda sektorëve, nënkupton vetëm përshtatjen formale të legjislacionit me atë evropian. Ndërsa çuditërisht kur pyetet për reformën në drejtesi, deklaron që pushteti apo qeveria nuk ngatërrohet në atë punë, ajo është çështje e Këshillit gjyqësor. Pra, ironikisht e atij këshilli që vetë ai e emëron, në një formë apo tjetër. Në këtë mënyrë duket që reforma në drejtësi do të dështojë edhe pas shumë vitesh, sepse është budallallëk që me formulën e njëjtë të pritet rezultat i ndryshëm.
Për ta argumentuar edhe më tepër dështimin e reformës në gjyqësor, para disa javësh, vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili vjen nga rradhët e LSDM-së, deklaroi: “Zvogëlimi i dënimit me burg të vozitësit të dehur i cili e ka shkelur studenten Frosina Cekovska nga Kriva Pallanka, tregon se gjyqësori nuk është i reformuar.”
Sa i takon reformave të përafrimit të legjislacionit në fushën e drejtësisë të Maqedonisë se Veriut me atë të Bashkimit evropian, apo në procesin e Skriningut, ata janë thjesht në rrafshin legjislativ, por që paradoksi është se zbatueshmërinë duhet ta bëjnë gjykatësit dhe prokurorët, fatkeqësisht të korruptuarit brenda sistemit. Në këtë kuptim sado që legjislacioni të jetë i duhuri, dhe pavarësisht se shtetit tonë nuk I ka munguar legjislacioni i duhur, është e pamundur të kemi shtet të së drejtës me gjykatës dhe prokurorë të rryshfeteve, të cilët vendosin në favor të parasë dhe politikës. Më e keqja, mbrohen nga politika dhe paraja ndikuese në Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve, këshilla të cilët nuk kanë kaluar në rrjetën e vetingut, as në ndonjë menakizëm tjetër për të parë pastërtinë e morale dhe punën profesionale. Këtë e dëshmon edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në raportin e tij për vitin 2018, thotë: “Edhe më tej ka pengesa që duhet evituar siç janë: pavarësia e kufizuar e gjyqësisë, politizimi i organit mbikëqyrës gjyqësor dhe financat e pamjaftueshme janë pengesë e mëtutjeshme për punën dhe efikasitetin e tyre…”
Ndërkaq, në raportin e parë nacional nga Matrica e indikatorëve për matjen e perfomancave në gjyqësor, të zbatuar nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike, e mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup, per vitin 2017, 2018, ndër të tjerash thuhet: “Gjyqësori në Maqedoni pjesërisht është i pavarur për shkak se kushtëzohet me faktorët politik dhe financiar, ndërkaq niveli i paanshmërisë vazhdon të jetë ende i ulët.”
Edhe avokati i popullit Ixhet Memeti ka konstatuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në institucionet gjyqësore, gjë që ka çuar në rritjen e ankesave pranë zyrës së tij. Gjatë vitit 2017 janë paraqitur mbi 4 mijë parashtresa dhe në më shumë se 1100 prej tyre janë konstatuar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ankesat kryesore sipas avokatit Ixhet Mehmeti kanë të bëjnë me institucionet gjyqësore ku është konstatuar drejtësi selektive, e vonuar dhe joprofesionale.
Në 6 muajt e parë qeverisës LSDM-ja shfuqizoi Këshillin për verifikimin e fakteve dhe ngritjen e procedurave për verifikim e përgjegjësisë të gjykatësit, kjo si realizim i premtimit të saj elektoral. Ky veprim ishte pjesë e reformave prioritare drejtësi dhe siguri që parashikoi qeveria, pasi këshilli në fjalë nuk realizoi qëllimet e themelimit, ku ndër të tjerash kishte edhe raporte negative nga institucionet ndërkombëtare dhe vërejtje nga Komisioni i Venecias. Kompetencat e këtij këshilli të shfuqizuar ju mbartën Këshillit gjyqësor, por që deri më tani nuk ka pasur efikasitet, njëlloj si Këshilli i shfuqizuar, gjë të cilën e vërtetojnë raportet e huaja dhe të brendshme për punën e gjyqësorit. Madje duhet theksuar se me metodologjinë e punës dhe përbërjes së këtij Këshilli, as nuk mund të pritet efikasitet, pos ndonjë vërejte dhe shkarkim politik ose subjektiv.
Në rrjedhojë të gjithë dështimit të reformës në drejtësi, si dështim thëlbësor i qeverisjes Zaev, pavarësisht proceseve integruese të ndihmuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar si dhe partitë shqiptare në pozitë dhe opozitë (për çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO), domosdoja kërkon aplikimin e reformës me një monitorim ndërkombëtar dhe mekanizmi të provuar siç është ai vetingut në drejtësi, ngase alternativat e tjera dështuan dhe po dështojnë. Së fundmi edhe Kryetari i Gjykatës penale Ivan Xholev, në një prononcim të tij për mediat, duke ju referuar reformave të ngecura në gjyqësor, deklaroi se: “Ka nevojë për Veting në gjyqësor…”, duke na lënë të kuptojmë se të ashtuquajturat reformat gjyqësore, tashmë janë inekzistente, pa efikasitet, dhe se reformimi duhet të bëhet me mekanizmin e Vetingut të drejtësisë. Në shtet si ky i yni, çdo gjë tjetër është provuar se është një lajkë e qeverive për të mashtruar qytetarët në kinse reforma.
Edhe në rrafshin e përvojës personale mund ti faktohet të parit të qeverisë dhe ekspërtëve të tij që thirren në të ashtuquajtura reforma, se po në qeverisjen Zaev, gjykata themelore dhe ato të apelit, kanë dhënë aktgjykime në lënde civile (të vlerave të mëdha) tragji-komike, të turpshme edhe për juristin më amator. Ngase fuqia financiare – politike e palëve në proces, bëjnë që gjykatësit të mos kuptojnë, keqintepretojnë dhe sjellin aktgjykime në kundërshtim edhe me parimet bazë të ligjit dhe procedurës, siç është për shembull “interesi juridik”, “dëshmia e rrejshme” apo “shkeljeve drastike të ligjit në një organ udhëheqës”. Të mos e kuptojnë dhe vlerësojnë ligjërisht se çdo të thotë “kontratë e plotfuqishme”, që besoj është diçka pa precedent në praktikën gjyqësore. Megjithatë gjykatësit nuk kuptojnë qëllimisht kur në pyetje është fuqia financiare dhe mbështetja politike e njërës prej palëve në proces. Edhe në çështje penale të përvojës personale, mund ti faktohet të parit të qeverisë që po gjatë qeverisjes së tij, se prokurorë themelor publik, zvarrisin vendime për epilogun e paraqitjes penale, edhe atë të dëmeve me vlera të mëdha në dëm të qindra personave (me qëllim për të vjetërsuar lendën), me zvarritje që vazhdojnë edhe më shumë se dy vite (kur dihet afati ligjor është brenda tre muajve në paraqitje penale, rrëzimi apo ngritja e saj). Kjo ndodh edhe me dijeninë e Prokurorise se shkallës së dytë, të “reformuar”, Prokurorit të Përgjithshëm, të “reformuar”, Këshillit Gjyqësor, të “reformuar”, madje me dijeninë dhe informimin e disa hershëm të tyre, dhe që përgjigja e tyre është qesharake – tragjike, se lënda po procedohet. Por në fakt askush nuk do tja dijë në këtë sistem të kalbur drejtësie, kur në pyetje janë fuqitë financiare dhe politike, dhe kur është në pyetje kjo reformë boshe e drejtësisë në të cilët gjykatësit dhe prokurorët ndihen më të sigurtë për veprimet e tyre antiligjore, edhe se sa në kohën e Gruevskit. Në këtë sistem ku avokat i zoti konsiderohen avokati sekser, ai që mbaron pune me lidhje ryshfetit mes gjykatësit, prokurorit dhe palës, sepse e tille është drejtësia në Maqedoninë e Veriut, nuk mundet ndryshe.
Sa e sa aktgjykime të proceseve civile dhe penale të dala nga këto gjykata, edhe në këto vite të qeverisjes aktuale të “reformave” në drejtësi, janë tmerësisht antiligjore, që nëse një ditë do të dalin në dritë, do turpërohen skajshmërisht edhe vetë ata që i kanë sjellë dhe i kanë nxitur. Janë akgjykime që varfërojnë dhe e vështirësojnë mirëqenien e qytetarëve, e shndërrojnë vendin parajsë të krimit. Prandaj pa një mekanizëm të mirëfilltë të përgjegjësisë së subjekteve të drejtësisë për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës së tyre, gjendja do të rëndohet edhe më shumë.
Mbas kalimit të zgjedhjeve presidenciale, i nderuari kryeministër kërkon të bëjë “fshesë” në dikastere të ndryshme, si reflektim nga humbja zgjedhore, pakënaqësia e dukshme e atyre që e votuan para dy vitesh, por që në fakt është një fshesë fiktive dhe në drejtim të gabuar. Ajo që duhet të bëjë Zaevi dhe që fatkeqësisht ska guxim dhe vizion, është fshesa në drejtësi – vetingu me pjesëmarje dhe monitorim nga faktori ndërkombëtar. Për reformimin e një drejtësie të vërtetë, e cila drejtësi vetë do ti fshijë funksionarët – shkelësit e ligji nga sistemi udhëheqës, ndoshta edhe vetë kryeministrin. Sepse para gjykatavë të drejta, të gjithë janë të barabartë, pavarësisht fuqisë pushtetare apo financiare. Kryeministri duhet të reflektojë prej vërteti në reformimin e sistemit të drejtësisë, mos vazhdojë akoma të bëjë lajka, dhe ta ketë parasysh se zgjedhjet e ardhëshme vijnë shpejt, ku të paktën shqiptarët, sdo ta shpëtojnë çdoherë fatin e tij politik dhe partisë që drejton.