Dështojnë përpjekjet për koalicionim në Preshevë, PVD jo posti i kryetarit me rotacion

Partia për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë nuk e mbështet propozimin e PDSH-së, për mandatin e kryetarit të Komunës me rotacion.

“Mbrëmë, në mbledhjen e saj të kryesisë dhe këshilltarëve të dalur nga zgjedhjet e fundit të parakohshme lokale, Partia për Veprim Demokratik nuk e ka mbështetur propozimin e Partisë Demokratike Shqiptare, për ndarjen e mandatit të kryetarit të Komunës me parimin e rotacionit. Parimi i rotacionit ku ndahet mandati i të njëjtit funksion midis përfaqësuesve të partive të ndryshme është praktikë e dëshmuar si joefikase në përformansë qeverisëse. Partia për Veprim Demokratik mbetet e bindur dhe e vendosur se nuk mund të kemi qeverisje më të mirë me mendësi dhe metoda të vjetëra. Shqiprim Arifi është dëshmia më e mirë se ndryshimi nuk sjell përparim dhe zhvillim nëse nuk shoqërohet me qeverisje më të mirë”, thekson PVD.

Nga kjo parti theksojnë më tej se sot është momenti që ndryshimi të bëhet duke ndërtuar qeverisje të mirë, e jo vetëm të sajohet një ndryshim përmes rotacionit të emrave të tjerë në pushtetin e njëjtë.

“Komuna e Preshevës ka nevojë për qeverisje reformatore që bën shkëputjen me të tashmën dhe të kaluarën, por edhe që ndërton shpresë dhe mundësi për të ardhmen. Ky është vullneti i shumicës i qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit për partitë opozitare shqiptare. Qytetarët thanë se duan pushtet tjetër, por edhe më të mirë. Qytetarët kërkuan Shqiprim Arifin dhe Listën Serbe në opozitë, si dhe opozitën e sotme në pushtet. Në përputhje dhe në respekt të këtij vullneti popullor, Partia për Veprim Demokratik mbetet e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse me Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma dhe Unionin Demokratik Shqiptar, thuhet në njoftimin e PVD-së.