Nisma popullore në nivel federal “Të jetosh me dinjitet – për të ardhura bazë të pakushtëzuara” ka dështuar.
Nismëtarët konfirmojnë se ata e konsiderojnë “të pamundur” arritjen e 100,000 nënshkrimeve që janë kusht për nismën, deri në fund të shkurtit.
Që në vitin 2016, një nismë popullore federale për të ardhura bazë të pakushtëzuara qe refuzuar qartë në kutitë e votimit, përcjell Albinfo.ch.
Sipas komitetit nismëtar, synimi i nismës për të ardhura bazë të pakushtëzuara ishte sigurimi i një jetese për të gjithë; ajo duhej të mundësonte “një ekzistencë të denjë në familje dhe shoqëri, pjesëmarrje në jetën publike dhe përkushtim për të mirën e përbashkët”, shkruan srf.ch. Për këtë duhej ndryshuar kushtetuta federale.
Nisma ka filluar në shtator të vitit 2021. Siç njoftojnë tani nismëtarët, vetëm rreth 65,000 nënshkrime janë mbledhur deri në fillim të janarit 2023, shumë më pak se sa supozohej, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, shkalla e vlefshmërisë është vazhdimisht në rënie dhe për këtë arsye supozohet se deri në fund të periudhës së grumbullimit do të duhet të mblidhen 130,000 nënshkrime për të arritur në 100,000 të vlefshme.
“Ne e konsiderojmë këtë të pamundur”, thonë ata, duke marrë përsipër edhe një pjesë të fajit të tyre për shkak të disa gabimeve interne “në hapa”./albinfo.ch