Dështon referendumi serb në Kosovë, njësia speciale në gatishmëri, serbët ikin për të votuar në Serbi

Plani serb për mbajtjen e referendumit të shtetit të Serbisë në Kosovë sot ka dështuar. Pasi që një ditë më parë, autoritetet shtetërore të Kosovës bllokuan në kufi materialin e votimit për referendumin serb, sot gjithcka ka marrë fund.

Një grup serbësh kanë mbajtur një tubim proteste të shkurtër në sheshin e pjesës së veriut të Mitrovicës, përcjell INA.

Kryetari i Listës Serbe, njëherit ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, u shpreh në tubimin e sotëm në veri të Mitrovicës se serbët do të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Serbia më 3 prill dhe paralajmëroi vendosjen e reciprocitetit me Prishtinën. Rakiq, kur u pyet se për çfarë reciprociteti bëhet fjalë, pohoi se nuk mund të përgjigjet për këtë.

Ai tha se serbët nga Kosova nuk do të “lejojnë që Prishtina t’i trajtojë ata si qytetarë të dorës së dytë”, duke theksuar se e drejta e votës është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me të gjitha normat dhe rregulloret ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mediat në Prishtinë kanë shkruar se me qindra qytetarë serbë të Kosovës po kalojnë kufirin në Serbi për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës. Autoritetet qeveritare serbe përmes deklaratave të ndërlidhura me Kosovën, kanë bërë thirrje që qytetarët në Serbi të dalin në referendum.

Në pikën kufitare Jarinjë janë parë forcat Speciale të Policisë së Kosovës të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje. Njësitë speciale janë të pranishme edhe në pjesët tjera të veriut të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar organizimin e referendumit të Serbisë në territorin e saj. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi me 76 vota pro rezolutën që ndalonte organizmin e referendumit në Kosovës.

Përveç Vetëvendosjes, rezoluta u përkrah nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse Partia Demokratike e Kosovës e bojkoti seancën.

Ndonëse Serbia bëri thirrje për pjesëmarrje të serbëve që jetojnë në Kosovë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk e njeh të drejtën e një shteti tjetër për të mbajtur referendum në territorin e një shteti tjetër sovran.

Interesi për pjesëmarrje në këtë referendum është i ulët pasi bëhet fjalë më shumë për një çështje teknike. Serbët do të votojnë këtë të diel për disa amendamente të Kushtetutës ku përcaktohet mënyra se si zgjidhen gjykatësit dhe prokurorët me qëllim sigurimin e një sistemit të pavarur juridik, si kusht për anëtarësimin në BE. (INA)