Destan Aliu – veprimtari në SHBA që për pesë dekada nuk u ndal në shërbim të çështjes shqiptare

0

Destan Aliu është një nga veprimtarët e dalluar të diasporës shqiptare në Çikago të SHBA-ve. Për shumë vite ai ka kontribuar për çështjen kombëtare, bashkë me shokët dhe veprimtarët e tjerë të idealit. Destani, një djalosh kërçovar që nga Zajazi kishte shkuar në Amerikë për pak kohë, sot e atë ditë është atje, por ai përveç punës, nuk u ndal asnjëherë në shërbim të çështjes kombëtare dhe lobimit me aktivistë nga Çikago e vendet e tjera të SHBA-ve, por me theks të veçantë Ligën Qytetare Shqiptaro – Amerikane të Joe DioGuardit. Në intervistën për INA që është ndër të rrallat të tij ai për herë të parë shpjegon detaje nga rrugëtimi i tij disa dekadash në shërbim të çështjes shqiptare.

INA: Kush është Destan Aliu. A mund të na përshkruani me pak fjalë rrugëtimin tuaj jetësor?

Jam Destan Aliu nga familja Vulaj nga Zajazi i Kërçovës. Jam i lindur më 2 gusht 1955 në Zajaz. Aty filloi fëmijëria ime, më pas edhe shkollimi, ku kreva shkollën 8 vjeçare në shkollën e fshatit. Ishin vite të vështira kur po kaloja fëmijërinë dhe rininë time. Shqiptarët detyroheshin që atëkohë të emigronin, sepse ishin të diskriminuar dhe nuk u mundësohej punë. Ende pa i mbushur 18 vjet shkova në Vjenë të Austrisë. Ishte viti 1972 dhe doja të emigroja në Amerikë. Por fillimisht nuk mundesha sepse nuk i kisha 18 vjet. Sapo i mbusha, arrita që të udhëtojë drejt tokës amerikane. Me të mbërritur atje në vitin 1974, pas një kohe u regjistrova në shkollë të mesme dhe e mbarova. Më pas dy vite në Waubonsee Comunity College (sociologji). Pas kësaj u regjistrova dhe vijova shkollimin për pilot në Dupage Airport. Aty qëndrova 8 muaj dhe nuk vazhdova, pasi që mu sëmurë babai dhe u detyrova mos të vazhdojë, pasi që duhej ta ndihmoja.

Me shokët veprimtarë të asaj kohe

INA: Si e patë Amerikën atëkohë për herë të parë. Si ishin organizuar shqiptarët atje?

Në janarin e 1974 emigrova në Amerikë. Ishte një tokë premtuese që të krijonte mundësi për punë dhe për të arritur në jetë. Qysh në vitin 1974 fillova me aktivitetin kombëtar, duke pasur një edukatë familjare dhe isha nga një familje që gjatë luftës së dytë botërore na u vranë gjashtë burra. Ne filluam të organizohemi bashkë me aktivistët e tjerë me aktivitete të ndryshme. Po në vitin 1974 dolëm me një protestë dhe parulla “Kosova Republikë”, “Liri për Adem Demaçin” dhe parulla tjera kombëtare në Michigan Avenue. Ndërkohë, vijuam me aktivitete dhe takime me konsullatën e Shqipërisë në Nju Jork nga ku u furnizuam me libra dh filma shqip. Këtu ishte dhe fillimi i Lëvizjes së Rinisë Shqiptare me të ndjerin Qamil Sadikun, Nazim Alimin, Ramazan Hajdinin, Adem Rushitin, Zeqir Hajdinin, Ismail Imerin, Sadik Sahbanin, Rushit Hajroja, e shumë të tjerë. Kur Lëvizja e Rinisë mori hov të madh, atëherë UDBA organizohej për likuidim fizik të treshit Ramazan Hajdini, Nazim Alimi dhe Destan A Vulit. Në këtë kohë në diasporë vepronte edhe Lidhja Kosovare në krye me Abaz Ermenjin dhe Legaliteti.

INA: Aktivitetet e juaja a intensifikohen për çështjen e Kosovës, sepse vjen periudha e vitit 1981?

Ne me vëmendje të madhe po përcillnim situatën në Kosovë dhe atë që po ndodhte atje në demonstratat e 1981. Nuk ndejtëm duarkryq, por u bashkuam dhe filluam organizimet me aktivitete e demonstrata. Ashtu që pa ndal vazhduan demonstratat tona nga Çikago e deri në Uashington e Nju Jork.

INA: A mbani ndonjë moment të veçantë si kujtim gjatë këtyre protestave tuaja që po i organizonit atëkohë në SHBA?

Më kujtohet një demonstrat e fuqishme në Uashington D.C, ku policia amerikane me kuaj e rrethoi ambasadën jugosllave, sepse gati sa nuk hymë në ndërtesë. Ishte diçka e veçantë dhe madhështore kur para kongresit doli Kongresmeni Bob Doll dhe kongresmeni Tom Llantosh, të cilët na përshëndetën dhe na dhanë përkrahje.

INA: Çka pas 1981. Pas një udhëtimi në vendlindje, ju menjëherë u arrestuat ?

Pas viti 1982 pata një shkëputje. Unë u ktheva në vendlindje ku u martova dhe vetëm pas tre ditëve, policia më arrestoi. Atë kohë isha 28 vjeçar dhe pas arrestimit, më dërguan në Shkup, ku Gjykata e Shkupit më dënoi me 8 vite burg për aktivitete në kuadër të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA. Akuzat që më ishin bërë ishin për irredentizëm dhe shovinizëm shqiptar, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat dhe aktivitetet kombëtare në SHBA. Më 22 dhjetor 1982 më dënuan dhe dënimin e vuajta deri në vitin 1988. Por edhe pasi dola nga burgu jeta ime ishte në rrezik, nuk kisha shtetësi amerikane. Pas disa muajve në mënyrë ilegale u arratisa drejt Austrisë dhe nga aty u ktheva sërish në Amerikë. Nuk u ndalëm dhe aktiviteti im ishte edhe më aktiv si pjesë e lëvizjes kombëtare.

Gazetat serbe shkruanin për arrestimin dhe dënimin e Destan Aliut

INA: Pas shumë viteve situata po përkeqësohej në Kosovë që ishte një fuçi baroti që do të shpërthente?

Organizimi jonë vazhdonte. Ne kishim synim që përmes lobimeve dhe organizimeve të ndryshme të tregonim dhe dëshmonim se çka po ndodhte në Kosovë, ku Serbia po ushtronte terror dhe gjenocid të paparë. Nuk ishin mirë as shqiptarët në Maqedoni, dhe trevat e tjera. Ne nuk harronim edhe ata, pasi që ishin pjesë e aktiviteteve tona. Në vitin 1998 ishim mobilizuar dhe aktivizuar me fondin “Vendlindja Thërret”, ku udhëtuam deri në Alaksën e largët. Fondi nuk ndalej me grumbullimin e mjeteve të nevojshme që i dedikoheshin UÇK-së. Ishim në Uiskons, Ilionis, Ajova, Nju Jork e vende tjera. Kishim plotë armiq në këtë misionin tonë,por ne ia arritëm me sukses të grumbullojë fonde për UÇK-në, e cila ishte një nga shtylla emblematike për çlirimin e Kosovës bashkë me forcat aleate me në krye Amerikën. Ne në diaspora kemi pasur një platformë për Kosovën një shtet jo me kufijt aktual, por me gjithë territorin e viseve shqiptare në Ish-Jugosllavi. Pra gjithë shqiptarët e okupuar në ish-Jugosllavi të ishin në një shtet të Republikës së Kosovës apo ti bashkëngjiten shtetit amë Shqipërisë.

Në Kongres me Lobin, Joe DioGuardin dhe aktivistët e tjerë

INA: Po për Maqedoni, dihet që nuk keni ndenjur duarkryq edhe në luftën e 2001?

Po sigurisht që s’kemi qëndru duarkryq. Ideali jonë ishte që shqiptarët e Maqedonisë të bashkohen me Kosovën e trevat e tjera. Në luftën e 2001 u organizuam në kryesinë e Fondit “Vendlindja thërret” për UÇK-në e Maqedonisë. Aty ishim në bashkëpunim me ish- të burgosurin Muharrem Dovolanin, Fatmir Hamza dhe Rrape Ruci. Kemi bërë të pamundurën për ti ardhur në ndihmë UÇK-së, me fondet që ia dërguam. Kontributi i diasporës edhe në këtë rast ka qenë shumë i madh, por shumë pak deri sot është çmuar apo rikujtuar.

INA: Përfundoi edhe konflikti dhe janë mbush disa vite. Si e shihni situatën nga kjo distancë kohore?

Sot pas 18 viteve jemi po atje ku kemi nisur. Mendimi im është se çështja shqiptare nuk është zgjidhur në Maqedoni. Shqiptarët atje duhet të zgjohen nga gjumi patologjik. Ne tashmë jemi fokusuar me Ligën Qytetare Shqiptaro – amerikane dhe arbëreshin e madh Joe DioGuardin. Jemi angazhuar të punojmë deri në realizimin e të drejtave të plotë të shqiptarëve, që janë jo më pak se Federalizim i Maqedonisë, me dy njësi: shqiptare dhe sllavomaqedone. Viteve të fundit me LQSHA e DioGuardin kemi arritur të realizojmë tre ndëgjime në Kongresin Amerikan dhe vazhdojmë të punojmë pandërprerë.

INA: A keni ndonjë porosi nga Amerika për bashkëatdhetarët në vendlindje?

Porosia ime për Shqiptarët në Maqedhoni- Iliridë është që ata duhet ta duan njëri tjetrin. Të angazhohemi me vepra dhe punë, duke mundur dhe sfiduar të keqen. Duke mundur të gjithë ata që janë të shitur, politikanët sahalëpirës që janë argat të hasmit tonë. Partitë politike atje janë pjellë e okupatorit si Qeveria e Shefqet Verlacit, që i shërbente okupatorit. Kemi të bëjmë sot me shumë elemente të sigurimeve shtetërore ish-jugosllave, me njerëz të shitur, që pengojnë ecurinë e procesin tonë politik shqiptar. Të lëmë salltanatetet dhe shpenzimet marramendëse, por të fokusohemi në vepra që sigurojnë të ardhme të ndritur për kombin tonë. Shqiptarët duhet të krëkojnë me çdo kusht federalizim, në të kundërtën atëherë duhet shkëputje dhe bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë. I pëlqen apo jo Evropës, kjo është kërkesë e natyrshme. Sepse shqiptarët e meritojnë të jenë të lirë bashkërisht në Ballkan dhe jo të jetojnë në aparthejd në zemër të Evropës. Uroj që viti i ri 2019 të na sjellë të mira dhe porosia ime për në fund është: Nënë Shqipëri mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”.(INA)