Sunaj Raimi
Këto ditë patëm rastin të dëgjojmë prononcime të ndryshme të figurave politike pozitare e opozitare, shqiptare e maqedone lidhur me ndryshimin e Kushtetutës së RMV. Tani më nuk ka dilemë se ajo do të ndryshohet, dhe atë enkas vetëm për futjen e bullgarëve në Preambulë! Por si mbeti çështja me gjuhën shqipe dhe me emërtimin tonë si popull i 20 përqindëshit!? Si Profesor dhe atdhetar i cili me dekada ka kultivuar pavarësinë e mendimit intelektual për çështjet e ndryshme shoqërore-politike, unë gjithmonë e kam shprehur mendimin tim politik botërisht, pa u përfshi asnjëherë në ndonjë parti politike. Edhe sot po e bëj një gjë të tillë, duke përçuar një APEL deri tek të gjithë faktorët politik shqiptar, që të bashkohen rreth kauzës së Ridefinimit të statusit sociopolitik të popullit shqiptar në RMV. Ne e dijmë të gjithë se Kushtetuta nuk ndryshon çdo ditë, andaj ja sot ja kurrë, ngulni këmbë që ME ÇDO KUSHT të përmirësohet ky status i nëpërkëmbur i popullit tonë ‘procentual’ (20%). Ky insistim i faktorit politik shqiptar duhet të jetë STOIK DHE I PAKOMPROMIS, sepse kur mund të ndryshohet Kushtetuta për një pakicë bullgare, pse mos të bëhet ajo për një shumicë shqiptare që nënkupton 1/3 e banorëve të RMV! Tani pra ka ardhur koha që të gjitha partitë shqipare të flasin njëzëri, duke kërkuar ME NGULM zëvendësimin e këtij emërtimi denigrues të shqiptarëve, me statusin tonë të merituar – Populli Shqiptar në RMV! Ndërkaq që, të gjithë ata politikanë, diplomatë dhe figura politike shqiptare të cilët do ta neglizhojnë apo kundërshtojnë këtë ‘detyrim kombëtar’ për kthimin e krenarisë tonë të shkelur, do të mbesin të turpëruar dhe mallkuar derisa kjo tokë të jetë e banuar me shqiptarë krenarë!
p.s.
Sa herë që faktori politik maqedonas e ka cilësuar ndonjë iniciativë shqiptare si ‘anakronike apo nacionaliste’, ajo nismë për shqiptarët e këtushëm më vonë është treguar si e dobishme dhe përparimtare!