Diaspora e Luginës së Preshevës: “Drejt Prishtinës më 10 nëntor në Marshin për Bashkim“

0

Gjenevë, 28 tetor
Kanë mbetur edhe 9 ditë deri te „Marshi për Bashkim“, që do të mbahet në Prishtinë nga Shoqata „Çamëria“ në Kosovë me kryetar, z.Nexhmi Muçiqi. Ashtu edhe si herave të tjera, mërgata e Luginës së Preshevës, dëshmon se uniteti është mbi të gjitha dhe në këtë situatë të turbullt, na duhet të punojmë më shumë për të mirën e asaj etnie shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Në mbrëmjen e së shtunës të 27 tetorit, në një lokal në qendër të Gjenevës, me ftesë të veprimtarit nga Tupalla e Medvegjës, z.Fadil Selmani, ishin mbledhur, kryetar shoqatash e veprimtarë të dëshmuar nga Lugina e Preshevës që veprojnë në Zvicër për të diskutuar për situatën aktuale në ato treva. Prezent në këtë takim ishin nga Instituti Shkencor Helvetikë i Europës Juglindore në Zvicër Dr.sc.Llukman Halili dhe Mr.sc. Dashnim Hebibi, Kryesia e Shoqatës „Medvegja“, z.Zenel Neziri kryetar, Zejnullah Namani, arkatar, Shoqata Humanitare „Lugina e Preshevës“ me seli në Gosau të St.Gallenit me kryetar nderi z.Fazli Musliu, Asociacioni „Sos Medvegjë-Çamëri“, me seli në Gjenevë, me kryetar, z.Fadil Selmani, veprimtari i njohur, z. Ismet Selmani, ish kryetar i Shoqatës Medvegja, z.Nebi Hiseni, po ashtu veprimtarë i dëshmuar nga Medvegja që jeton dhe vepron në Gjenevë,nga  Akademia Përkujtimore e UÇPMB-së për në mërgatë, Shoqata Kulturore „Jehona“, Zvicër, z.Rafet Ademi, sekretar i kësaj shoqate. Takimi ishte vëllazëror dhe u diskutua për katër orë me radhë tema të ndryshme për të mirën e Luginës së Preshevës. Z.Fadil Selmani, Ismet Selmani, Zenel Neziri, Zejnullah Namani dhe Nebi Hiseni, me që vijnë nga Medvegja, kërkuan edhe njëherë nga banorët e Preshevës e Bujanocit, që ti kenë më afër vëllezërit e tyre nga Medvegja, pra ti jepet më shumë hapësirë në shumë drejtime, me që dihet, se Medvegja është në një situatë më të rëndë se dy komunat tjera shqiptare. Që të gjithë përkrahën edhe njëherë propozimin e presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi, që Kosova Lindore, ti ribashkohet Kosovës, por në asnjë mënyrë që të ketë ndarje të Kosovës apo të këtyre tre komunave. Gjatë bashkëbisedimit sa miqësor aq edhe vëllazëror, këta veprimtarë, falënderuan edhe kryetarin si dhe kryesinë e Shoqatës „Çamëria“ në Kosovë me kryetar, z.Nexhmi Muçiqi, të cilët, do të organizojnë „Marshin për Bashkim“ me 10 nëntor, ditë e shtune në Prishtinë. Me këtë rast, këta veprimtarë, kërkuan edhe nga mediat që veprojnë në Kosovë, ti japin më shumë hapësirë Kosovës Lindore dhe gjithashtu kërkuan nga vëllezërit e tyre në Kosovë, që 10 nëntori i ditës së shtune, të jetë përplot e përplot me qytetarë për të përkrahur vullnetin e atyre banorëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ti ribashkohen pjesës tjetër të Kosovës. Debati nuk kaloi edhe pa kritika të ndryshme në drejtim të atdheut, kur po shohin, se atje nuk është i bashkuar faktori politikë. Ata njëzëri, kërkuan edhe kësaj here, që të bashkohen dhe të kenë një fjalë të përbashkët, Pro ribashkimit me Kosovën, sepse këtë vullnet e ka treguar ajo trevë siç dihet me Referendumin e 1, 2 marsit të vitit 1992 dhe gjatë luftës së UÇPMB-së që dha 28 dëshmorë. Ky takim dëshmoi, se diaspora shqiptare ishte, është dhe do të jetë e bashkuar dhe nuk do të rrijnë si spektatorë në asnjë mënyrë, sa herë që kërkohet ndihma e çdo forme nga ta. Mërgata shqiptare ishte dhe do të mbetet si po shihet, arteria kryesore e së mirës në atdhe. Debati nxehet, kur disa prej veprimtarëve të këtyre trevave, tregonin situatën reale atje, ku po largohet rinia me të madhe dhe nuk ka asnjë perspektivë dhe është polizuar aq shumë ajo popullatë, sa që ka zënka të lloj llojshme e deri tek tentimet në rrahje. Propozimi i Presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi, për këta mërgimtarë të dëshmuar si veprimtarë të mëdhenj të çështjes kombëtare, është i mirëpritur, duke shpresuar, se nuk do të jetë vetëm përmendje, por që të sillen rezultate konkrete. Nuk shpëtoi nga ky takim edhe përmendja e spektrit politik në Kosovë, si pozitës dhe opozitës, që nuk janë unikë edhe kur është në pyetje ajo trevë etnike shqiptare, që ka përballu e po përballon një situatë të rëndë sa politike aq edhe ekonomike. Varfëri, papunës dhe largim nga ato treva sërgjyshore. Siç thanë të pranishmit, do të vije një kohë edhe ate, hiq më shumë se 10 vjet, ku në Preshevë e Bujanoc, do të mbeten shtëpitë me njerëz të moshuar e pa rini. Shih Medvegjën dhe mjafton të mos hutohemi nga kjo që po themi, thanë të pranishmit e këtij takimi. Ata njëzëri, kërkuan që të përkrahet ky marsh dhe të shkojnë sa më shumë edhe nga Lugina e Preshevës, por edhe nga diaspora, pastaj, kërkuan nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë edhe të institucioneve ndërkombëtare që të kenë më shumë presion edhe trysni ndaj të drejtave dhe shqiptareve që po ju cenohen në Luginë të Preshevës, pastaj kërkuan nga Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi, që të mos largohet nga kjo ide e ribashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën. Dikush nga veprimtarët përkrahu zgjedhjet e 4 nëntorit për Këshillin Nacional e disa të tjerë, theksuan, se ndoshta do të ishte më mirë që të bojkotohen, me arsye të shumta. Mërgata, kërkon nga subjektet politike shqiptare, që janë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të bashkohen, të harxhojnë energjinë e tyre për hirë të së ardhmes dhe jo të gjykojnë njëri tjetrin, të hahen mes veti, të hasmërohen aq shumë, sa që të trishtohet ajo popullatë dhe të largohen, duke e parë, se nuk ka perspektivë. Të investojë Shqipëria e Kosova, kemi shembuj të shumtë, se çka po bënë Serbia për serbët në Kosovë. Kjo trevë e Akademikëve, veprimtarëve të kauzës kombëtare, bëmirësisë dhe mikpritjes bujare, meriton të jetë më mirë dhe jo të jetë e anashkaluar, apo të përmendet sa herë që kanë nevoj për përfitime partiake apo për poena personale politike. Krejt në fund të këtij takimi miqësor, ku edhe televizion albswis që vepron me qendrën e saj në Gjenevë, realizoi një emision debativ prej dy orësh me këta veprimtarë, duke shtjelluar tema të ndryshme për aktualitetin në Kosovë Lindore, ku nga të pranishmit, u falënderua shumë gazetari i debatit, stafi dhe i gjithë ekipi dhe po shpresohet, se mediat në Kosovë e Shqipëri, nuk do të rrijnë në heshtje për banorët e asaj treve. Takimi tjetër nëmes veprimtarëve nga Lugina e Preshevës në diasporë, do të jetë pas festës së 28 nëntorit dhe do të shikohet, se çka ka ecur në të mirë dhe ku ka ngecur proçesi. / Dashnim HEBIBI