Diaspora kërçovare fton bashkatdhetarët që të votojnë kandidatin shqiptar në Kërçovë

Nëpërmjet një kumtese për media, Diaspora e Bashkuar Kërçovare ka bërë thirrje deri te bashkatdhetarët e saj që të shkojnë në vendlindje.

Qëllimi siç thonë është që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të votohet kandidati shqiptar në Kërçovë.

Më poshtë letra e plotë:

Të nderuar bashkatdhetarë, Në Kërçovë ne shqiptarët jemi shumicë fizike dhe kemi rastin të bëhemi edhe shumicë politike. Pra, na takon neve që të drejtojmë Kërçovën. Kryetari, parimisht, duhet të jetë shqiptar.

Prandaj, Diaspora e Bashkuar Kërçovare fton të gjithë bashkatdhetarët që të mobilizohen dhe të shkojnë në Vendlindje, në Kërçovë, për të votuar Kandidatin Shqiptar, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen, të dielën, datë 31 Tetor 2021. Diaspora e Bashkuar Kërçovare u bën ftesë të dy kandidatëve shqiptar të rrethit të parë të bashkëpunojnë me qëllim të bashkimit të votës shqiptare me qëllim që kandidati shqiptar të dalë fitues në 31 Tetor 2021.

Organizime të udhëtimit për në Vendlindje do ta bëjnë shoqatat në Zvicër, Austri, Gjermani, Itali etj.

Zoti na ndihmoftë dhe dalshim faqebardhë!

Këshilli i Diasporës së Bashkuar Kërçovare.