Dihet se kur do të paguhet roaming më i lirë ndërmjet Ballkanit dhe BE-së

Negociatat komerciale për uljen e tarifave të roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të fillojnë këtë vit, ndërsa përcaktimi i çmimeve do të prezantohet në maj të vitit të ardhshëm.

“Ulja e së paku një tarife për shërbimet e të dhënave do të zbatohet më 1 tetor 2023”, njoftoi Telekomi i Maqedonisë, njëri prej operatorëve celularë që dje nënshkroi deklaratën e përbashkët për hapat e ardhshëm për uljen e tarifave të roaming-ut, në kuadër të BE-së gjatë Samitit në Tiranë.

Me këtë iniciativë, sipas informacioneve nga kompania, Deutsche Telecom dhe operatorë të tjerë celularë mbështesin lëvizshmërinë dhe lidhjen e qytetarëve dhe bizneseve nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor (Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia).

Dhjetë operatorë telekomunikacioni, përfshirë Deutsche Telekom, kanë rënë dakord për këtë iniciativë të përbashkët, përmes tarifave të reduktuara për të stimuluar më tej shërbimet roaming midis dy rajoneve.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të liderëve nga Ballkani Perëndimor, si dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Më 1 korrik të vitit të kaluar, u hoq roaming-u për telefonata, mesazhe SMS dhe internet ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Kjo përfundoi zbatimin e Marrëveshjes nga Samiti i Dytë Dixhital i vitit 2019 ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. (INA)