Dimitrov: Kemi një lajm të mirë nga Brukseli, KE-ja e miratoi propozimin e Kornizës negociuese

0
Nikola Dimitrov

Kam sot një lajm të mirë nga Brukseli. Kemi një hap të rëndësishëm që duhet ta shënojmë – Komisioni Evropian e ka miratuar propozimin e Kornizës së negociatave dhe që nga sot dokumenti është në duart e vendeve-anëtare. Për hajër na qoftë!, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në një video deklaratë.

“Komisioni Evropian, bazuar në vendimin e Këshillit të gjërave të përgjithshme të 25 marsit të këtij viti, i konfirmuar nga ana e Këshillit Evropian një ditë më vonë, më 26 mars, e miratoi propozimin e Kornizës së negociatave dhe që nga sot projekt – Korniza negociuese është në duart e vendeve-anëtare. Korniza e negociatave nga ana e KE-së bazohet në metodologjinë e re për procesin e aderimit. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është që procesi i aderimit të bëhet më i sigurt, më konkret, më i besueshëm, më dinamik, me udhëheqje të përforcuar politike, ndikim nga ana e vendeve-anëtare, bazuar në kritere objektive dhe kushtëzim të rreptë pozitiv dhe negativ, si dhe kthyeshmëri”, thotë ministri.

Shtoi se thelbi i Kornizës së propozuar negociuese, për të cilën, sipas informacioneve të fundit, do të diskutohet në Bruksel javën e ardhshme nga vendet anëtare në nivelin e ekspertëve, është që standardet evropiane t’i sjellim në vend. Mbi të gjitha, parimet dhe vlerat demokratike që lidhen me sundimin e ligjit, si dhe reformat ekonomike.

“Mendoj se ka një simbolikë të bukur që KE-ja e përfundoi detyrën e saj bazuar në vendimin e marsit, saktësisht më 1 korrik, ditën kur presidencën e Këshillit të BE-së e mori Berlini dhe unë jam i bindur se ashtu siç ishte për ne Presidenca historike kroate, kështu do të jetë edhe presidenca gjermane dhe së bashku me mbështetjen gjermane në muajt e ardhshëm do ta hapim konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Dimitrov.

Ai shtoi se në atë moment, fillon refuzimi konkret i procesit aderues përmes përfundimit të skrining procesit dhe hapjes së grupit të parë të quajtur – Vlerat themelore që i trajton fushat kryesore të reformave të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria , Kriteret ekonomike, Funksionimi i institucioneve demokratike, Reforma në Administratën publike, Kapitulli 5 – Furnizimet publike, Kapitulli 18 – Statistika dhe Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.

Puna me Kornizën negociuese nuk ka mbaruar, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, por shtoi se sot kemi një hap të rëndësishëm që duhet ta shënojmë – KE e ka aprovuar propozimin dhe e ka dorëzuar atë për miratim, së pari në debat dhe më pas në miratim të vendeve-anëtare. Për hajër na qoftë!/MIA