Dinari si sfidë e ardhshme e normalitetit

INA
INA

31/01/2024

Normalizimi, më shumë se me marrëveshje historike, po bëhet me zgjidhje të ofruara prej një “krize” në tjetrën

1.

Para disa javësh një emër i njohur i shoqërisë civile, pjesëtare e komunitetit serb të Kosovës, shpjegonte në një televizion të Serbisë (me afinitet kritik ndaj pushtetit të tanishëm në Serbi) se si pushteti i Kosovës po ndërmerr veprim pas veprimi për të ushtruar presion ndaj komunitetit serb në Kosovë. Lista e gjatë e ankesave ndaj pushtetit të Kosovës përfundoi me: “tash, prej vitit të ri serbët e veriut të Kosovës duhet ta paguajnë energjinë elektrike”.

Nuk i përmenda gjërat e tjera në listën e ankesave; që të gjitha kanë arsyetimet e veta si ankesa dhe që të gjitha kanë kundërpërgjigjet që do të mund të zhvillonin një debat. Ilustrim: ankesa për praninë e madhe të policëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës, ku nuk jetojnë aq shqiptarë. Ankesa është me vend, siç është përgjigjja se në pjesën veriore ka më shumë shqiptarë, sepse në nëntor të vitit 2022, me urdhër politik u larguan nga detyra policët e Kosovës të nacionalitetit serb. Apo ankesa se në pjesën veriore të vendit ka policë të njësive speciale me tyta të gjata. Ankesa është me vend, nuk ka kush ndihet mirë kur sheh policë të njësive speciale. Por, arsyetimi është po ashtu me vend: policët e njësive speciale gjenden aty, sepse rendin e ligjin në masë të madhe e kanë diktuar njësitet paraushtarake, siç u dëshmua me Banjskën në shtator të vitit të kaluar.

Por, lidhja e pagesës së energjisë elektrike si dëshmi e presionit të Qeverisë së Kosovës ndaj popullatës serbe të Kosovës nuk kualifikohet për debatin pro et contra. Më afër të vërtetës është se nëse e reflekton ndjenjën kolektive të një grupimi (një pjesë të serbëve, një pjesë të Kosovës) , atëherë ky konstatim hyn në materie për një kuptim themelor psiko-social.

2.

Më së lehti do të mund të thuhej se të kuptuarit e detyrimit për të paguar energjinë elektrike për serbët e veriut si qytetarët e tjerë (përfshirë edhe serbët e pjesës jugore të vendit) është reagim i një kolektiviteti të përkëdhelur, të cilit për një çerekshekull i janë falur të gjitha obligimet qytetare, prej pagesës së tatimeve deri tek ato të shpenzimit të energjisë elektrike.

Por, më duket që ndonëse ky do të ishte një kënd i të shikuarit, kuptimi më i plotë do të bëhej nga një kënd tjetër, ai i inercionit. Komuniteti serb – si çdo formë jete në natyrë – u akomodohet kushteve. Nëse komunitetit i thuhet se nuk ka obligim të paguajë detyrimet ndaj shtetit, këtë nuk do ta bëjë dhe nëse kjo i thuhet vit pas viti, atëherë mospagimi është gjendje normale ndërsa detyrimi për të paguar do të shndërrohet në gjendje jonormale.

Kështu, konstatimi se serbët e veriut ndihen të rrezikuar nga pushteti i Kosovës sepse detyrohen të paguajnë energjinë elektrike, nuk ka të bëjë as me serbët e Kosovës si një specie e veçantë që do më shumë të drejta se të tjerët e as me pushtetin e Kosovës si një grup malinj që qenka i determinuar t’u bëjë dëm serbëve të Kosovës. Ka të bëjë me ligjërimin çerekshekullor në Serbi dhe në politikën zyrtare serbe të Kosovës që është përpjekur të përligj si normalitet veprimet e veta dhe që të vërë si shkatërruese çfarëdo përpjekje për të vënë rregulla e rend tjetër prej atij të diktuar prej Beogradit.

Kështu, pagesa e energjisë elektrike është instrument presioni ndërsa kërkesa për unifikim të targave në qarkullim të veturave të regjistruara në Republikën e Kosovës si përpjekje për shlyerje të identitetit serb. Dhe, rrjedhimisht aksioni i policisë kundër grupit paraushtarak në Banjskë si vrasje e tre të rinjve serbë “që u ngritën kundër terrorit të Kurtit”.

3.

Episodi i radhës në sfidimin e ligjërimit zyrtar serb ka të bëjë me dinarin serb. Sërish është fjala për inercionin: nëse është lejuar për çerekshekulli – ani pse monedha zyrtare ishte marka gjermane e pastaj euroja që nga koha e UNMIK-ut – atëherë është normale që serbi i Kosovës të paguhet me dinarë dhe të paguajë me dinarë. Dhe, në kësi konteksti normaliteti, është jonormale të ndërpritet pagesa me dinarë.

Madje, nuk është e tëra, kjo çështje është edhe pak më e ndërlikuar. Njëri dimension është ai emocional-simbolik. Për një qytetar serb të Kosovës që është mësuar të marrë pagë, ndihmë sociale apo pension në dinarë, paralajmërimi se prej 1 shkurtit më nuk do të ketë pagesa në këtë valutë paraqet një lloj pasigurie, madje pasigurie kolektive.

Disa prej komenteve në ligjërimin serb e lidhnin këtë relacion emocional me atë të lidhshmërisë me shtetin, Serbinë e serbizmin. Dhe këto komente ishin po ato që arsyetonin se serbët nuk mund të heqin dorë prej targave KM, UR e të ngjashme për shkak të lidhjes emocionale me të kaluarën, simbolizmin serb e të tjera. Por, siç u pa në nëntor e dhjetor të këtij viti, regjistrimi me targa RKS nuk ishte ndonjë mundim i veçantë emocional.

Ndaj, dhe më duket se kur të përjashtohet si jo shumë relevant dimensioni simbolik këtu hyn dimensioni i dytë, ai i efekteve praktike. “Normaliteti” i deritanishëm ka krijuar një gjendje ku, sipas deklarimeve të autoriteteve të Serbisë, Serbia dërgon dinarë për 87 mijë rroga, pensione e ndihma sociale. Sfida organizative e ligjore është se si të vazhdojë praktika e marrjes së këtyre mjeteve, por jo më në kanale jolegale (bartje të parave të gatshme, shpërndarje jashtë rrjedhave financiare bankare). Gjegjësisht, si të bëhet përligjja e një veprimi legjitim, të drejtës së Republikës së Serbisë që të ndihmojë qytetarët serbë në Republikën e Kosovës?

4.

Kalimi prej njërit normalitet në tjetrin duket traumatik. Por, në fakt, nuk është. Regjistrimi i targave u bë me rregull brenda dy muajsh, njëherë kur u mor vendimi politik për t’u bërë. Letrat vetëngjitëse në targa duken si një rrëfim nga e kaluara e largët, por ja ku janë targat që qarkullojnë me simbole shtetërore nga njëra anë dhe tjetra e kufirit pa ndonjë problem. Njëzet mijë fatura të energjisë elektrike janë dorëzuar dhe nuk është se kjo gjë nuk përbën më as lajm, lëre fjalime epike mbi mbrojtjen e qenies serbe nga faturimi i shpenzimit të rrymës.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më shumë se me draft-marrëveshje , të nënshkruara apo jo , po realizohet prej një cikli krize në tjetrin. “Kriza e dinarit” ka të njëjtin dimension, të kalimit prej normalitetit të inercionit çerekshekullor në një normalitet krejtësisht tjetër për qytetarët serbë të Kosovës. Dhe kjo sfidë do të kërkojë vullnetin e mirë të qeverisë së dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje që do të sigurojë mirëqenien e këtyre qytetarëve.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

kim-mehmeti

Aty ku të gjithë majmen nga varfëria e popullit!

Bekim Qoku

Qoku: Ahmeti dhe BDI larg Kosovës dhe afër Serbisë

Daut Dauti

Nga Yeni (Novi) Pazari në Skopi (Shkup)

Ben-Wallace-696x464

Historia na e vërteton që Putin mund të mposhtet

arsim zekolli2

Ku po te dhemb Talo Kapidani?

thaci-krasniqi-veseli-hage-selimi-specialja

“Vrasja e politikanëve shqiptarë”/ A është kjo arsyeja e vërtetë për largimin e avokatëve të Thaçit e Selimit?

naser-pajaziti

VLEN a do përfshijë në lista figura të shoqërisë civile dhe personalitete që kanë bërë betejat e opozitarizmit

Diljana toska

Presidente?!

xhevdet nasufi

Çarja e ASH-së!

INFO

NA NDIQ