Ish-kongresmeni amerikan dhe veprimtari i njohur i çështjes shqiptare në SHBA, Joe DioGuardi, bashkë me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi dhe anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut për një vizitë zyrtare në Shkup dhe Tetovë, përcjell INA.
Vizita e tyre zhvillohet në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me institucionet shqiptare në vend dhe për të riafirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të LQSHA-së ndaj të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Joe DioGuardi pritet të shpallet “Qytetar Nderi” i Komunës së Çairit, si një vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë në Tetovë, ai do të nderohet me titullin akademik “Honoris Causa” nga Universiteti i Tetovës, një tjetër mirënjohje për angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.
Pjesë e delegacionit janë edhe përfaqësues dhe anëtarë të bordit të LQSHA si Faton Bislimi, Nazim Alimi, Mahmut Skenderi,Zikri Meta, Agim Aliçkaj dhe të tjerë.
Ky është një tjetër moment historik që kurorëzon dekada veprimtarie të Joe DioGuardit në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës shqiptare, ndërkohë që vizita e tij në Maqedoninë e Veriut pritet të shoqërohet me një sërë takimesh e ngjarjesh zyrtare.(INA)