Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Ukrainë për momentin vazhdon të funksionojë dhe diplomatët kanë ngelur në Kiev, por familjet e tyre këtë javë do të kthehen në Shkup. Kjo bëhet e ditur nga Ministria e Jashtme.
Po ashtu edhe rreth 30 vëzhgues nga Maqedonia e Veriut mbeten në Ukrainë si pjesë e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së.
Rreth 100 qytetarë nga Maqedonia e Veriut aktualisht janë duke qëndruar në Ukrainë dhe Ministria e Punëve të Jashtme ka hartuar një plan me aktivitete për skenarë të ndryshëm që mund të ndodhin në periudhën e ardhshme në atë vend.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani dje në një konferencë informoi se në Ukrainë janë katër kategori të qytetarëve të Maqedonisë. Në kategorinë e parë janë ambasadori dhe një diplomat tjetër në ambasadën tonë në Kiev dhe familjet e tyre. Duke qenë se ata janë staf thelbësor për ambasadën dhe ende nuk ka vendim për mbylljen e saj, diplomatët do të qëndrojnë në Ukrainë derisa të merret një vendim tjetër, por është vendosur që familjet e tyre të kthehen në Shkup në fillim të kësaj jave.
Ministria e Punëve të Jashtme është në marrëveshje me Bullgarinë dhe nëse ka nevojë për tërheqjen e dy diplomatëve, ka një marrëveshje plotësisht të përcaktuar se si do të organizohet.
“Apeli për të gjithë qytetarët tanë vlen që ata të shfrytëzojnë mundësinë që fluturimet komerciale të largohen nga Ukraina dhe të kthehen në Maqedoninë e Veriut”, theksoi ministri Osmani.
Deri tani, Shtetet e Bashkuara dhe rreth 22 vende të tjera, duke përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Holandën, Australinë, Zelandën e Re, Kroacinë dhe Bullgarinë, u kanë thënë qytetarëve të tyre që të largohen menjëherë nga Ukraina. (INA)