Diplomati që shënon një shekull

INA
INA

28/05/2023

DITMIR BUSHATI

Sot Henry Kissinger mbush 100 vjeç. Rrugëtimi i tij është i pazakont…

Nga një fëmijë hebre në Gjermaninë naziste, ai arriti të bëhej këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit të SHBA-ve dhe më pas Sekretar i Shtetit. Në thelb më shumë europian sesa amerikan, një personalitet i jashtëzakonshëm, i shënuar nga tragjedia europiane që pësoi një pjesë e familjes së tij, Kissinger zbuloi prej saj pesimizmin e thellë të natyrës njerëzore dhe një konservatorizëm që “preferon padrejtësinë në vend të kaosit”.

Megjithëse Kissinger nuk u kthye më në pushtet pas vitit 1977, ai mbeti një ndër njerëzit më të famshëm dhe më të vlerësuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jetën publike. Një penë e mprehtë, autor i shumë librave të shitur në çdo cep të botës. Një orakull i konsultuar nga krerë shtetesh dhe njerëz të fuqishëm edhe në këtë moshë.

Henry Kissinger kombinon njohuritë akademike të farkëtuara gjatë viteve si profesor në Universitetin e Harvardit, me eksperiencën e pasur si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe Sekretar i Shtetit. Duke analizuar veprimtarinë e tij në praktikë mund të thuhet se ai i përket shkollës së realizmit në politikën e jashtme. Praktikuesit e sotëm të politikës së jashtme nuk besojnë në një pjesë të metodave të ndjekura prej tij, ndërsa teoricienët i kritikojnë ato.

Megjithëse është kritikuar për “magjepsjen ndaj pushtetit”, libri i tij i fundit “Udhëheqja: Gjashtë Studime në Strategjinë Botërore”, është dëshmia më e mirë e peshës së individit në politikë. Kissinger identifikon guximin, forcën e karakterit dhe njohjen e historisë, si cilësitë më të rëndësishme për një udhëheqës burrështetas.

Për shumë, Kissingeri është personifikim i talentit diplomatik; intuitës politike për të shkuar drejt paqes me çdo çmim; inteligjencës për të dalluar detajin nga thelbësorja dhe për të kaluar nga e veçanta në të përgjithshmen; mendjemprehtësisë dhe kuriozitetit që zgjon gjithmonë. Libri i tij “Epoka e Inteligjencës Artificiale” i vitit 2021 është një udhërrëfyes për sfidat, me të cilat bota po përballet si pasojë e zhvillimeve teknologjike.

Hapja e SHBA-ve drejt Kinës, ulja e tensioneve me Bashkimin Sovjetik, përfundimi i luftës në Vietnam, armëpushimi araboizraelit i vitit 1973, risia që solli “diplomacia fluturuese”, janë disa arritje madhore për politikën e jashtme amerikane, të cilat janë ideuar prej tij. Kissinger është fitues i çmimit “Nobel për Paqen” në vitin 1973, për negocimin e përfundimit të luftës në Vietnam.

Për të tjerë, veprimet e Kissingerit zbulojnë një indiferencë të pashpirt ndaj jetës njerëzore, të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Historiani i njohur Niall Ferguson, i cili ka shkruar edhe një biografi të Henry Kissinger, i fton kritikët për të treguar se si politika apo vendimmarrje alternative do të kishin prodhuar rezultate më të mira se ato të Kissingerit. Sipas Fergusonit, “argumentet që përqendrohen në humbjen e jetëve në vendet strategjikisht jo aq të rëndësishme për SHBA-të si Argjentina, Bangladeshi, Kamboxhia, Kili, Qipro dhe Timori Lindor, duhet të testohen përkundër pyetjes: nëse ndërmarrja e veprimeve të tjera do të ndikonte në marrëdhëniet e SHBA-ve me vende me rëndësi strategjike si Bashkimi Sovjetik, Kina dhe fuqitë e mëdha të Europës Perëndimore?”

Në librin e tij të kujtimeve “Diplomacia”, të vitit 1994, Kissinger argumentoi se në një sistem ndërkombëtar të dominuar nga pesë ose gjashtë fuqi të mëdha, rendi ndërkombëtar mund të mbahet vetëm nga një pajtim i interesave të ndryshme kombëtare, me një pranim të legjitimitetit të vlerave të kundërta. Jeta dhe veprimtaria e Henry Kissinger përkon me shekullin e fuqisë amerikane. Pavarësisht autoritetit të padiskutueshëm të SHBA-ve në botë, në intervistën e fundit për “The Economist”, Kissinger shfaqet sërish mishërues i teorisë së balancës së fuqive, duke i mëshuar idesë së krijimit të një rendi të ri botëror mes SHBAve, Europës, Kinës dhe Indisë, për të shmangur kësisoj katastrofën e një Lufte të III Botërore. Është e vështirë të parashikohet se si do të formësohet shekulli XXI, por trashëgimia e çmuar e Henry Kissingerit, padyshim do të jetë përherë e vlefshme.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

edison ypi

Katibim

skender-asani

Idetë e mëdha në thelb kanë kauza mirëkuptimi

putin-balkan

Sulme kimike në qytetet gjermane!? Raporti: Pushtimi tokësor i Putinit, skenar i mundshëm

Enver Bytyqi

A ja vlen që shqiptarët të paguajnë kaq shumë për prestigjin e liderit?

opinion

Të ruhemi nga pseudoshkenca e sharlatanëve

Makron Macron

Macroni gjuajti sërish me bazukën e tij – dhe Rusia nuk është objektivi i vetëm

Xhelal Zejneli

Çështja shqiptare në Maqedoni-ridefinimi i Maqedonisë

femijet nerove krusheve

Fëmijët dhe prindërit shqiptarë e nisin vet ndërtimin e shkollës në Krushevë, dora e shtetit nuk duket askund

Bekim Qoku

30 për qind e shqiptarëve në Maqedoni konsiderohen pakicë

INFO

NA NDIQ