Disa histori shqiptare dhe një histori me Mercedes

Iliria News Agency
Iliria News Agency

30/04/2023

Enver Robelli

[Fjala ime e mbajtur dje, në Stuttgart, në promovimin e librit tim «Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të». Fotografitë: Visar Kryeziu]

****

Ka ekspertë dhe eksperte në botën digjitale, të cilët ofrojnë kurse me titullin: shtatë këshilla se si duhet t’i përshëndesni njerëzit në një tubim. Dhe si nuk duhet t’i përshëndesni. Për shembull: nuk preferohet t’u thuhet njerëzve – ah, sa mirë që e keni gjetur rrugën të vini këtu! Thua se njerëzit janë të paaftë për t’u orientuar. Në botën tonë shqiptare përshëndetjet në tubime shpeshherë janë më të gjata se romanet e Tolstoit. Andaj, shumë shkurt: ju falënderoj shumë për kureshtjen tuaj. Dhe gëzohem që sot jemi bashkë këtu, në Stuttgart. Me respekt të thellë falënderoj Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Stuttgart dhe veçanërisht Rainold Maçin dhe Qëndresa Bytyqin për organizimin e këtij promovimi.

****

Gati 100 vjet më parë, në vitin 1904, perandori gjerman Wilhelmi i Dytë ndërsa po shëtiste me një veturë të markës «Mercedes Simplex» tha me plot vetëbesim: «Vetura nuk ka ardhmëri. Unë i besoj kalit». Por ardhmëri nuk pati Gjermania e Wilhelmit të Dytë, ajo u fundos më 1918 bashkë me hingëllimën e kuajve. Mercedesi, ndërkaq, u bë sinonim i të arriturave teknike të Gjermanisë. Perandori nuk ishte i vetmi parashikues i dobët. Edhe inxhinieri Gottlieb Daimler besonte se veturat nuk kanë ardhmëri. Më 1901 Daimler tha: «Kërkesa për vetura në mbarë botën nuk do të kalojë një milionëshin për shkak të mungesës së shoferëve».

****

Ky është njëri nga rrëfimet që mund t’i gjeni e lexoni në librin që kam shkruar vitin e kaluar. Ky është një libër mbase i pazakonshëm për një shekull të pazakonshëm – për shekullin e njëzet. Është një panoramë letrare, historike, politike dhe sociale. Përmes qindra rrëfimeve të shkurtra, në këtë libër prezantohen historitë e vogla pranë historive të mëdha të një shekulli. Në këtë libër defilojnë shkrimtarë dhe shtetarë, anarkistë dhe aventurierë, disidentë dhe diktatorë – disa shkruajnë, disa vallëzojnë, disa mallkojnë dhe disa dashurojnë. Të gjithë ëndërrojnë – një botë të re, një botë tjetër, një botë më të mirë. Shekulli i 20-të është një shekull marramendës – mes parajsës dhe humnerës. Është shekull i luftërave dhe i lirive pothuaj të pakufishme. Është shekulli i Aleksandër Moisiut, Stefan Zweigut, James Joyceit, Elias Canettit, Franz Kafkës, Hermann Hesses, të cilin ne zviceranët ia kemi vjedhur Landit të Baden-Württembergut dhe e quajmë jo vetëm shkrimtar zviceran, por edhe nobelist zviceran të letërsisë. Për të gjithë këta dhe shumë të tjerë në këtë libër do të gjeni më shumë se një rrëfim.

****

Mercedesin e përmenda jo vetëm për shkak se luan rol të rëndësishëm në industrinë e Landit të Baden-Württembergut. E përmenda edhe për arsye lokale shqiptare. Siç kuptova këto ditë, një hulumtim i një mediumi britanik ka treguar se vetura më e popullarizuar te shqiptarët është – mund ta merrni me mend – Mercedesi i klasës E. Dikur, në vitet 60-të, 70-të apo 80-të, kur në fshatrat e Kosovës thuhej se filani punon «n’Mercedes» – ky ishte një titull pak më i lartë se i mbretit të fshatit. Disa prej jush këtu mund të jeni mbesa, nipa apo kushërinj të gjeneratës së parë të punëtorëve shqiptarë të cilët erdhën në Gjermani nga fillimi i viteve 60-të për të siguruar ekzistencën për vete dhe familjet e tyre. Historia e këtyre njerëzve nuk është shkruar ende.

****

Stuttgarti me rrethinë mund të prodhojë vetura shumë cilësore, por gazetat e rëndësishme të Gjermanisë dalin në Frankfurt dhe në München. Mos u hidhëroni për këtë, askush nuk është perfekt. Në arkivin e «Frankfurter Allgemeine Zeitung» gjendet një shkrim i botuar më 2004 mbi një taksist grek nga Selaniku. Gregorios Sahinidis, atëbotë 59-vjeçar, tregonte se mes viteve 1981 dhe 2003 i kishte kaluar 4,6 milionë kilometra me veturën e tij Mercedes-Benz 240 D. Edhe njëherë: 4,6 milionë kilometra! Kjo i bie sikur t’i sillesh botës rreth e rrotull 115-herë. Ose: nëse Mercedesi do të fluturonte, atëherë me 4,6 milionë kilometra do të ngjitej gjashtë herë në hënë dhe do të kthehej në tokë. Vetura e taksistit grek gjendet që nga viti 2004 në Muzeun e Mercedesit në Untertürkheim afër Stuttgartit. Si shumë shqiptarë edhe greku Sahinidis erdhi në Gjermani më 1963, atëherë ishte vetëm 18-vjeçar. Punoi deri në vitin 1978 në firma të ndryshme gjermane. Pastaj vendosi të kthehej në Selanik dhe të punonte taksist. Mercedesin e tij greku Sahinidis e bleu në Waiblingen afër Stuttgartit. Viti i prodhimit: 1976. Kilometra të kaluara: 220 mijë. «Unë isha pronari i katërt, pas dy gjermanëve dhe një jugosllavi», ka treguar greku. Ai jugosllavi lehtë ka mundur të jetë shqiptar. Para disa ditësh pashë një ekspozitë në një qytet zviceran mbi ardhjen e punëtorëve të huaj në Zvicër në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Në një intervistë për një gazetë zvicerane, punëtori Shefki Ademi tregonte para 33 viteve: «Shefi i fermës i thërriste me emër të gjitha lopët e tij: Rosaly, Babette, Sylvie. Se si quhesha unë, ai nuk e dinte. Për të unë isha jugosllavi».
Ky kapitull i zymtë i mërgimtarëve të parë shqiptarë në këto vise ka marrë fund. Fatmirësisht. Djemtë apo mbesat e tyre tani janë inxhinierë në ndërmarrje të rëndësishme gjermane a zvicerane. Të tjerët janë pronarë firmash. Të tjerët janë shkencëtarë. Duke pasur parasysh rrethanat e vështira historike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e ish-Jugosllavisë sidomos nga fillimi i viteve 80-të e deri më 1999, historia e tyre në atdhe dhe në mërgim është – histori e krenarisë! E shkruar me shumë djersë, vuajtje, dhimbje, plagë e pikëllim.

****

Ndokush prej jush tani mund të pyes: e çfarë ndodhi me taksistin grek? Para Lojërave Olimpike në Athinë më 2004 qeveria greke u bëri një ofertë shoferëve: kush hiqte dorë nga vetura e vjetër dhe blinte një të re, subvencionohej nga shteti. Gregorios Sahinidis i shkroi një letër shefit të Mercedesit Jürgen Hubbert dhe i tregoi se kishte kaluar 4,6 milionë kilometra me Mercedesin e tij, me këtë çudi teknike. Zyrtarët e Mercedesit e pyetën grekun sa para kërkonte për këtë veturë. Greku nuk pranoi të marrë para, ia dhuroi Mercedesin – Mercedesit! Dhe çfarë bënë gjermanët? Ia dorëzuan grekut çelësat e një Mercedesi të ri, C200 CDI. Ndoshta edhe sot Gregorios Sahinidis shëtit me këtë veturë rrugëve të Selanikut. Kështu, përmes historive të vogla, shkruhen historitë e mëdha. Për shembull: në vitin 1779 në Selanik nuk ishte krim të vrisje shqiptarë. Kështu kishte vendosur administrata osmane. U mobilizuan 30 mijë trupa osmane dhe brenda 5 ditësh vetëm nga Selaniku i dëbuan 4 mijë shqiptarë. Hartografi osman Piri Reis, i cili jetoi në shekullin e 16-të, vlerësonte se Porti i Selanikut kishte vend për 300 anije. Në shekujt e ardhshëm anijet do të vinin nga Deti i Zi, nga Deti Egje, nga Gjiri Persik, nga Egjipti, nga Siria, nga Algjeria, nga Suezi, nga Tripolisi, nga Franca, Portugalia, Danimarka, Anglia, Holanda dhe Gjenova. Tregtarët flisnin italisht, frëngjisht, spanjisht, shqip, greqisht, turqisht, latinisht, rusisht, arabisht. Shqiptarët e parë globalë duket se kanë jetuar në mikrokozmosin e Selanikut!

****

Në një botë ideale ne do të dinim më shumë për historinë tonë, por edhe për historinë e botës. Në një botë ideale si komunitet i madh – vetëm në Landin e Baden-Württembergut dhe në Zvicër jetojnë gati gjysmë milioni shqiptarë –, pra në një botë ideale do të ishim më mirë të organizuar dhe më të vetëdijshëm për historinë tonë. Kushedi, ndoshta një ditë ndokush do të zbresë në arkivat e Selanikut dhe do të kthehet me një libër nga i cili do të mësojmë më shumë për shqiptarët e vitit 1779. Ndonjë tjetër mund të hulumtojë historinë e mërgimit të shqiptarëve dhe sidomos biografitë e «gastarbajterëve», atyre që erdhën në Gjermani, Zvicër e Austri për të punuar disa muaj apo më së shumti një vit. Me paratë e kursyera ata planifikonin të blinin një kalë apo një traktor në Kosovë. Jo pak prej tyre besuan se do të ktheheshin në atdhe pas 5 muajsh. Nga 5 muaj u bënë 50 vjet! Për disa edhe 60-të! Pjesëtarët e asaj gjenerate po ikin nga kjo botë. Dhe pas po na i lënë biografitë e parrëfyera. Çka nuk rrëfehet, harrohet. Nuk është hera e parë që gjatë historisë harrojmë.

****

Sot është 29 prilli. Më 29 prill 1945 trupat ushtarake amerikane e çliruan kampin shfarosës nazist në Dachau. «Pas telave me gjemba dhe gardhit nën tension elektrik qëndronin skeletet në diell dhe përpiqeshin t’ia hiqnin njëri-tjetrit morrat. Dukeshin sikur mosha nuk u ka lënë gjurmë dhe fytyrat i kishin pa tipare; të gjithë dukeshin të njëjtë». Kështu e përshkroi kampin gazetarja amerikane Martha Gellhorn. Përndryshe mes viteve 1940-1945 Gellhorn ishte gruaja e Ernest Hemingwayit, për të cilin po ashtu bëhet fjalë në këtë libër. Sepse pa Ernest Hemingwayin nuk mund të shkruhet pothuaj asnjë libër mbi shekullin e 20-të.

****

Kjo fjalë s’është mirë të përfundojë pa një histori tjetër me Mercedes. Më 1936 Mbret i Egjiptit u bë Faruku i Parë, i cili, siç dihet, ishte me origjinë shqiptare. Kur u stolis me kurorën e Monarkut, Faruku ishte 16-vjeçar. Titulli i tij zyrtar ishte ky: «Mbret i Egjiptit, Sovran i Nubias, Sudanit, Kordofanit dhe Darfurit». Si 16-vjeçar Faruku me gjasë nuk dinte të drejtonte veturën, por kjo s’e pengoi një diktator gjerman të asaj kohe që t’i dhuronte sundimtarit egjiptian një Mercedes. Mbreti britanik, George VI, i bëri Farukut një dhuratë më të rrezikshme: disa pushkë gjuetie.

****

Faruku nuk vdiq në një aksident trafiku me Mercedes, as nuk vdiq nga saçmat e pushkës së gjuetisë. Fundi i jetës së tij ishte si pjesa më e madhe e jetës së tij: një kombinim mes operetës dhe tragjikomedisë. Më 17 mars 1965 rreth orës 22:00 Mbreti Faruk, pasi kishte ngrënë gjashtë sandviçë dhe katër qese me çipsa në apartamentin e tij në Romë, ndali televizorin, vendosi alltinë në brez dhe doli në qytet – për darkë! Në xhep kishte dymijë dollarë dhe dy kuti të arta me tableta kundër shtypjes së gjakut dhe dhembjeve në veshkë. Me peshën e tij prej 130 kilogramë, Mbreti mezi u fut në veturën e tij, një Fiat 2300. Pasi zuri vend në një restorant, Faruku iu vërsul 12 midhjeve me salcë Tabasco, një kofshe dashi me patate, një sallate dhe fasules. Meqë si mysliman s’pinte alkool, Faruku zbrazi disa shishe me Coca-Cola, pija e tij e pëlqyer. Pas desertit ndezi një puro dhe befas u dridh, sytë i mbetën hapur, trupi i ra përtokë si lis. Vdiq nga sulmi në zemër. Gjatë drekës në tryezën e tij zakonisht shtroheshin gaforre, pula, jahni, kotëletë qengji me patate, bizele, oriz dhe angjinare. Për çdo javë Mbreti Faruk porosiste nga 300 midhje të freskëta nga Kopenhaga në Kajro. Kështu, mes grumbujve të ushqimit, mori fund jeta e Mbretit Faruk. Edhe kjo histori gjendet në këtë libër.

****

Ju falënderoj shumë për vëmendjen!

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

zelensky tiran

Samiti i Ukrainës në Tiranë, kush janë liderët e rajonit që marrin pjesë

arber-zaimi

Kujt po i pengon pse po përzihet Albin Kurti?

IMG_9337

Banorët e nisin vetë shkollën shqipe në Nerovë të Krushevës

IMG_9334

Milionat e shpenzuara për mbështetje mediale si tregues që BDI-ja e ka humbur mbështetjen e votuesve

ilir-meta

Shqiptarët garanci për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut

FURKAN SALIU

Lufta për fronin e BDI-së

Blinken Edi rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu ka drejtuar me një letër mirënjohjeje Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Rama Zelenski

Zelensky arrin sot në Tiranë, merr pjesë në Samitin për Ukrainë

bdi-ali-ahmeti-cair

Pse BDI brenda një jave braktisi idenë 15-vjeçare për President Konsensual?

INFO

NA NDIQ