Disfata e “Botës Ruse” do t’i godasë edhe aleatët OpenBalkanistë shqiptarë!

Shkruan:Fejzi HAJDARI

Ashtu siç i kalli në kokë fillimisht sërbët e Vuçiqit, modeli i “Botës Ruse” me invazionin dhe gjenocidin në Ukrainë, poashtu disfata e cila tanimë po shihet në horizont, do t’ua ulë kokën dhe do t’i dëshpërojë për “Botën Serbe”. Kësaj radhe, sërbët do të dështojnë pa shkrepur asnjë plumb, e jo siç dështuan në ish-Jugosllavi pas gjithë atyre luftrave. Bashkë me ata, sipas “Efektit të Dominos”, do të dështojnë edhe OpenBalkanistët shqiptarë, duke filluar nga Edi Rama, opozita kosovare, si dhe ithtarët shqiptarë të “Open Balkan” nga Maqedonia e Veriut, të këtij projekt hegjemon serb.

Kur të ketë ndodhur ky dështim spektakolar i rusëve në Ukrainë, ndërkombëtarët në krye më SHBA’të dhe Britaninë e Madhe, s’duhet ta neglizhojë përsëri atë vakumin e përhershëm që krijohet pas luftarave. Le të shpresojmë që ndërkohë, “Milosheviqi i madh” – Putin i sotëm, do të gjendet në bankën e të akuzuarve të ndonjë gjykate. Në fakt, Rusia do ta gjykojë Putinin, ose do t’ia dorëzojë njdonjë gjykate ndërkombëtare, njësoj si Serbia siç e patë dorëzuar diktatorin Sllobodan Millosheviq.

Rusët këtë pritet ta bëjnë, jo se ju dhimbsen viktimat civile e fëmijët e vrarë në Ukrainë, por, sepse, Putini e humbi luftën në Ukrainë. Të njëjtën e bënë edhe sërbët pas luftrave të viteve të ’90-tëdhjeta në Jugosllavi. E dorëzuan Millosheviqin, jo për shkak të gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, por, se ai i humbi luftërat dhe e humbi Kosovën. Madje, sepse Millosheviqi ishte shkak, që u bormarbuag Beogradi nga aviacioni i NATO’së.

Frymëzimi nga Rusia, natyrisht se mund të shuhet shumë shpejtë në Rusi. Historikisht, sërbët e rusët, për arsye të ndryshme mund të harrojnë dhe bëjnë kthesa të mëdha historike. Rrjedhimisht, disfata për “Botën Ruse” mund të bëjë që Serbia përnjëherë të ndryshojë diskursin e mendjen. Vuciqi, nga lufta në Bosnjë, ka ndryshuar shumë herë. Pse të mos ndryshojë sot apo nesër!

Interesant do të ishte në rast se “Bota Ruse” do ta rrënojë njeherë e përgjithmonë ëndërrën për “Botën Serbe”, çfarë do të ndodhë me OpenBalkanistët shqiptarë të udhëhequr nga Edi Rama, opozita kosovare dhe ithtarët shqiptarë të Vuçiqit në Maqedoninë e Veriut. Thonë se në politikë “efekti i Dominos” është i shpeshtë dhe ka efekte vërshimi. Të shpresojmë në efektet e tilla edhe këtu tek ne…, në hapësirën shqiptare.
E premte, 16.9.2022