Kandidatë për marrjen e patentës së shoferit ankohen se një aplikacion i njohur me teste praktike online i njohur si avtoskolaonline.mk, në versionin shqip kërkon para, ndërsa në versionin maqedonisht është falas.
Ky është aplikacioni praktik privat për qasje dhe parapërgatitje për patent shoferin, që një periudhë të gjatë bën këtë manipulim diskriminues.
Kandidatët shqiptarë kanë shprehur ankesa përmes një reagimi për INA, duke nxjerrë të vërtetën se si ndodhë mashtrimi.
“Po ju drejtohem për të shprehur një shqetësim që lidhet me mënyrën e funksionimit të një aplikacioni që përdoret për përgatitje për testin e lejes së vozitjes në Maqedoninë e Veriut. Siç është e njohur, ky test ofrohet në dy gjuhë: maqedonisht dhe shqip. Mirëpo, një problem i madh qëndron në diskriminimin që po u bëhet kandidatëve që përdorin gjuhën shqipe në këtë proces.
Gjatë përdorimit të aplikacionit për përgatitje për testin teorik, kur përdoruesit zgjedhin gjuhën maqedonase, aplikacioni është plotësisht falas, përfshirë edhe tregimin e rezultatit në fund. Në anën tjetër, për përdoruesit që zgjedhin shqipen, rezultati në fund mund të shfaqet vetëm pasi të paguhen 60 denarë. Kjo ndarje, ku për maqedonasit është pa pagesë dhe për shqiptarët është me pagesë, është një shembull i pastër i diskriminimit dhe padrejtësisë ndaj përdoruesve që flasin shqip.
Ky trajtim jo i barabartë ngre shumë pyetje për drejtësinë dhe barazinë e qasjes në shërbimet publike dhe private për të gjitha komunitetet. Jam i sigurt se një gazetë e respektuar si juaja mund të hedhë dritë mbi këtë çështje dhe të ndihmojë në ndërgjegjësimin e publikut për këtë problem”, thuhet në reagimin e një kandidati drejtuar agjencisë së lajmeve INA.
Testin online në maqedonisht këtu www.avtoskolaonline.mk
ndërsa në shqip ku kërkohet në fund pagesa në linkun https://www.autoshkollaonline.com/maqedoni/