Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e “gjeneralit” të pavdekshëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i Drejtshkrimit”, ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i përgjitshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.
Në fjalën përshëndetëse, Asani u shpreh se kjo ekspozitë është produkt i një angazhimi ndërinstitucional, që ka për qëllim nxjerrjen në pah të veprimtarisë së Kadaresë, në këtë përvjetor me rëndësi për kombin.