Në ditën e tretë të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit” u përuruan katër botimet e ASHAM, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte kanë të bëjnë me çështjen shqiptare. Në ngjarje morën fjalën drejtori i ITSHKSH Skender Asani, akademiku dhe drejtori i Institutit të Historisë Nacionale, Dragi Gjeorgiev dhe hulumtuesi shkencor Isamedin Azizi.
Në hapje të manifestimit, drejtori Asani tha se përmes këtyre aktiviteteve, Instituti etablon një komunikimin jo vetëm shkencor, por edhe ndërshoqëror, si një mundësi për tejkalimin e dallimeve.
Akademik Gjorgiev theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional, aq i nevojshëm sidomos për tema që kanë të bëjnë me çështje identitare, kulturore dhe shkencore. Ai më pas prezantoi katër botimeve e ASHAM të Shkupit.
“Parku i skulpturave: dhuratë e përjetshme” nga Tome Serafimovski, paraqet një katalog prej dhjetëra skulpturave të Serafimovskit, të cilat janë të ekspozuara në një kënd brenda ASHAM, mes të cilave ndodhet edhe skulptura e Skenderbeut dhe Naim Frashërit.
Vepra “Skenderbeu” nga Gane Todorovski, në tri gjuhë, portretizon figurën e heroit kombëtar nën prizmin e tre autorëve Gane Todorovski, Ali Aliu dhe Cvetan Grozdanov, ku miti që është ndërtuar për Skenderbeun përshkon kufijtë kombëtarë për ta kthyer atë në një hero të gjithë popujve të Ballkanit, gjë e cila simbolizohet më së miri përmes poemës “Skendebeu” të Grigor Përliçevit.
Libri i Kristo Frashërit mbi historinë e civilizimit shqiptar, i botuar në maqedonisht “Историја на албанската цивилизација” (Historia e civilizimit shqiptar) shërben si një udhëzues i rëndësishëm për të njohur historinë politike dhe ngjarjet në territorin e shqiptarëve.
Së fundmi u prezantua edhe libri “Si të jesh një menaxher i suksesshëm: Sfidat menaxheriale në botën bashkëkohore” nga autorët Izet Zeqiri dhe Brikend Aziri.
Në vijim, Isamedin Azizi elaboroi mbi botimet e historianëve maqedonas që trajtojnë çështjen e shqiptarëve përmes punimeve dhe botimeve të ndryshme, që ndonëse jo të shumta në numër, shërbejnë si një faktor i rëndësishëm dhe një urë komunikimi, sidomos marrë parasysh se disa prej tyre janë shkruar në momentet më të vështira për popullin shqiptar.
Manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, nesër vazhdon me prezantimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës.