Djali i Cecës i përgjigjet boksierit me origjinë nga Kosova

0

Veljko Raznatovic – djali i kr.iminelit serb Arkan dhe i këngëtares famëkeqe serbe Ceca – i është përgjigjur Petrit Mazrekaj, boksierit të Austrisë me prejardhje nga Kosova, duke pohuar se ai asnjëherë nuk i ka bërë ofertë zyrtare kosovarit dhe se ky i fundit duhet të bëjë ofertë zyrtare dhe të pranojë të boksojë në Beograd nëse dëshiron luftë në ring në kategorinë super të mesme.

Në një intervistë për mediat serbe të enjten, Raznatovic ka pohuar se asnjëherë nuk kishte dëgjuar për Mazrekaj derisa ky i fundit ka folur në media për të. Ai i ka bërë thirrje kosovarit të shkojë në Bograd dhe ta konfirmojë atë që e ka thënë në media rreth meçit të mundshëm.

“Unë nuk e kam ditur se ai ekziston derisa nuk filloi të flasë gjithfarë gjepurash në ato gazetat e tyre. Unë do të kisha dashur që ai të vijë këtu edhe t’i konfirmojë ato që i ka thënë. Le të bëhet ‘shmeker” dhe le të vijë. Ata duhet t’ia dërgojnë një ofertë zyrtare menaxherit tim Luka Popovic, në këtë mënyrë ata janë vetëm si disa gra dhe gjyshe që pinë kafe e që lehin si disa qenë endacakë”, ka thënë Raznatovic për mediat serb

Mazrekaj, i lindur në Villach të Austrisë, tha javë më parë se boksieri serb i kishte bërë ofertë të cilën e kishte pranuar për një meç që pritej të zhvillohej në fund të muajit gusht.

“Djali i Arkanit më ka dërguar ofertë dhe e kam pranuar menjëherë, që të boksoj me të kah fundi i muajit gusht. Kësmet prej Zotit do të dal në ring, a ka gjë më të mirë si me t’u dhanë rastin e me rreh djalin e një kriminelit, siç ishte Arkani. Do të përgatitem mirë dhe do të jem në formë qind për qindtë”, kishte thënë Mazrekaj për gazetën “Bota sot”.

Por, Raznatovic, i cili ka përvojë të vogël në boks, pasi deri tani i ka zhvilluar vetëm gjashtë meçe, të gjitha fitore, mohon t’i ketë bërë ofertë kosovarit, pasi pohon se më së shumti që ka bërë është të vendosë kontakte më të.

“Kush dëshiron të rrahet me mua duhet të dërgojë ofertën dhe ta përfundojmë këtë sikur me Mrvalj dhe 6 të tjerë para tij, e jo unë këtu të japë disa deklarata palidhje. Ne veç kemi provuar me vendos kontakt me menaxherin e tyre dhe këto fjalë veç po më ofendojnë. Nëse s’do të ketë asgjë nga kjo në 7 ditët e ardhshme, nuk do të kisha dashur t’i kushtojmë vëmendje, ai nuk është as burrë as trim” ka thënë Raznatovic.

22-vjeçari serb u rreh për herë të fundit në muajin maj, kur e mposhti boksierin kroat Petar Mrvalj me nokaut.

Ndërkohë, 28-vjeçari kosovar i ka 17 fitore, 13 prej të cilave me nokaut, dhe asnjë humbje që prej debutimit të tij në vitin 2011. Mazrekaj ka mbi një vit pa boksuar, megjithatë.

Mazrekaj, megjithatë, ka thënë se kyreministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka ndaluar atij të boksojë në Boegrad për shkaqe sigurie.