Djali i Kiro Gligorovit: Zgjidhja e emrit duhet të ketë dy fitues

0

Zgjidhja e kontestit për emrin me Greqinë duhet të ketë dy fitues, konsideron Vlladimir Gligorov i biri i ish-presidentit të Republikës së Maqedonisë Kiro Gligorov.

Për gazetën greke “Proto tema” 73 vjeçari Vlladimir Gligorov e vlerëson si hap pozitiv faktin që Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev e ka hedhur poshtë  ideologjinë “Maqedonia antike” të paraardhësit të tij Nikolla Gruevski.

Sipas tij, çështja e emrit të Maqedonisë mundet disi të zgjidhet edhe kjo të jetë me dinjitet politik. Qëndrimi i tij për Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë është se ajo duhet të ndryshohet në pajtim me gjendjen e brendshme në vend dhe në suaza të afrimit të vendit drejt BE-së, që të tejkalohen edhe çështjet për irredentizëm të cilat Greqia i vendos.

Vlladimir Gligorov, i cili me profesion është ekonomist, në vitin 1989 ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Serbisë, ndërsa nga viti 1994 jeton dhe punon në Austri në Institutin për Hulumtime Ekonomike Ndërkombëtare. Ai është lektor në Universitetin vjenez, thekson gazeta greke.