Do të ketë ngrirje të çmimeve të produkteve bazë ushqimore, paralajmëron ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi, por pa dhënë detaje.
“Për të gjithë artikujt ushqimor dhe artikujt e prodhimtarisë vendore, bujqësore”, tha Besar Durmishi- ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Sa i përket marzhës së fitimit sa i përket mjeteve shkollore, Durmishi thotë se Inspektorati i Tregut do të dalë inspektorati në terren dhe nëse ka keqpërdorime do të merren masat e nevojshme për ato dyqane që nuk e respektojnë vendimin.
“Në qoftë se hasim në keqpërdorime dhe hasim në kompani të cilat nuk e respektojnë vendimin e Qeverisë i cili ishte propozim nga Ministria e ekonomisë dhe punës. Do të kërkoj që të dalin më tepër në terren, në qoftë se ka nevojë do të dal edhe unë bashkë me ekipin tim dhe do të kërkojmë që të respektohet kjo masë”, shtoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Këto ministri Durmishi i tha pasi promovoi Programin për Mbështetjen e Turizmit Vendas për punëtorët me të ardhura të ulëta. Sot filloi dhënia e kuponëve të pushimeve për ata që kanë pagë neto deri në 50 mijë denarë. Me këtë, 1777 persona do të marrin vauçer për pushime në vlerë prej 18.000 denarë.
“Interesi për këtë masë ishte shumë i madh si nga gastronomët ashtu edhe nga aplikantët, duke marrë parasysh se me këtë aktivitet nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës ndihmon objektet gastronomike jashtë sezonit turistik që të mund të realizojnë të ardhura shtesë, ndërsa punëtorëve me të ardhura të ulëta u mundëson të përdorin shërbimet gastronomike në qendrat tona turistike”, potencoi Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Ndryshe këto kuponë mund të përdoren nga data 15 shtator deri më 1 dhjetor në çdo ambient akomodues të regjistruar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa listën e hoteleve dhe fituesve mund ta gjeni në faqen e internetit të Ministrisë.