Rrjeti ABC tha të enjten se kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Kamala Harris, do të debatojnë me 10 shtator në këtë rrjet, ndërsa zoti Trump tha se dëshiron të shtojë dy debate të tjera atë muaj në rrjetet Fox dhe NBC.
Në një konferencë për media në rezidencën e tij në Palm Beach të Floridës, Trump ka thënë se dëshrion debate edhe me 4 dhe 25 shtator. Ai nuk ka dhënë hollësi nëse do të kishte një audiencë dhe nuk ishte e qartë nëse fushata e tij i kishte bërë një propozim kampit të Harris.
Fushata e nënpresidentes amerikane nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm mbi dëshirat e Trump, ndërsa është pajtuar me debatin e planifikuar për datën 10 shtator.