Donjeta Sadiku e ashpër në ring, por nuk ia del në “Tokyo 2020”

Boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku, sot ka zhvilluar një luftë të ashpër me kundërshtaren e saj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” britaniken Caroline Dubrois, megjithatë nuk ia doli ta vazhdojë sfidën drejt fitores.

Donjeta Sadiku nuk ka arritur të kalojë në raundin tjetër në garat e boksit që po zhvillohen në kuadër të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, shkruan Insajderi.

Boksierja kosovare u mposhtë nga Caroline Dubois pas tre raundeve.

Raundi i parë i ketij meçi ishte më i dobët për Donjetën, pasi boksierja britaneze u tregua shumë më aktive se ajo.

Në dy raundet e fundit, u vërejt ofanzivë më e theksuar e 22-vjeçares, por pavarësisht kësaj, Dubois u vlerësua më lartë me pikë nga gjyqtarët.

Në fund, boksierja kosovare u mposhtë me rezultat 5:0 pas vendimit të gjyqtarëve.

Që nga fillimi i kësaj përballje, Caroline Dubois shihej si favorite të fitonte këtë meç, pasi është edhe kampione e Lojërave Olimpike për të rinjë në boks.

20-vjeçarja nga Britani e Madhe, në raundin e 16 do të përballet me boksieren amerikane, Rashida Ellis./Insajderi.com