Dora e zezë përdhos varrin e Mehmet Derallës në Tetovë

0

Prof.Vebi Bexheti
Në kompleksin ,,Arabati Baba” në Tetovë, nuk ka të ndalur së vepruari një dorë e zezë që shkatrron çdo gjë qē është shqiptare. Pas përdhosjes së varrit ku pushojnë eshtrat e Prof. Ali Vishkos, tani i erdhi radha edhe atdhetarit tetovar, Mehmet Pashë Derallës, emri që na bëri të ndjehemi krenarë se edhe kjo anē e trojeve shqiptare ia dha birin e vet Qeverisë së parë të Shtetit Shqiptar, të udhëhequr nga Ismail Qemali. Kjo që po ndodh kohëve të fundit në këtë kompleks tetovar, që historikisht ishte qendër e veprimtarisë atdhetare, krahas asaj fetare bektashiane, është trishtuese, dhe e tmerrshme. Të vesh dorë mbi një pllakë përkujtimore, me portretin e njeriut me atë përmasë atdhetare, e mbarëkombëtare, a nuk është atentat kundër kombit, kundër Ismail Qemalit kundër Qeverisë së parë shqiptare dhe kundër shqiptarëve në përgjithësi, gjithsesi se po!
Nga koha e dhunës mbi varrin e mësuesit të popullit, prof. Ali Vishkos, i cili ishte i vetmi studiues i kësaj ane që e dha kontributin më të madh shkencor për ndriçimin e të vërtetave historike të kësaj Teqeje, kaloi një kohë e gjatë, pa asnjë rezultat për zbardhjen e krimit dhe kriminelit, madje kishte zëra që e përshëndetën këtë vepër të shëmtuar. Kjo dorë e zezë që kohëve të fundit e ka intensifikuar veprimin antikombëtar, pikërisht në vendin ku njerëzit i luten Zotit, nuk u mjaftua vetëm më rrënimin varrit të profesorit, por shkoi edhe mëtutje, që të merr guximin të vë dorë edhe mbi fugurën emblematike të kombit. Si mund të cilësohet kjo vepër mjerane, përveç se si më antikombëtarja, e pa njohur ndonjëherë më parë, madje edhe në kohën më të egër të sunduesve sllavo-komunist.
Kësaj radhe nuk dua të shprehem për instalimin e faltores së improvizuar në këtë kompleks, meqë ajo, si duket, tanimë është kontest gjyqësor, ashtu siç nuk mund të qëndroj aq indeferent për mosreagimin e Imamit që në këto mjedise e drejton ,,xhematin”duke predikuar edhe mësime fetare, kur ndoshta për t’u treguar si shqiptar i vërtetë, ndonjëherë flet edhe për patriotizëm. Si mundet deri tani mos ta ketë parë këtë masakër mbi ftyrën aq të të ndritur të kombit, të gravuar në pllakën e thyer në disa vende, e cila gjindet disa metra larg faltores. Jam i vetëdishëm se dikush do e drejtojë gishtin drejt meje për të më akuzuar se kush jam unë dhe pse brengosem, aq shumë për këto raste, e di këtë, por e di edhe një të vëtetë tjetër se me gjithë veprimin e këtyre forcave të errëta antikombëtare, që mendojnë se ashtu lehtë mposhten figurat e përmasës së Ministrit të Ismail Qemalit, dhe shumë personalteteve tjera, shqiptarët dhe shqiptaria nuk kanë mbaruar.
Herët a vonë do çirren maskat e individëve që në mënyrën më tinëzare i ndihmojnë, ose nuk e pengojënë këtë këtë dorë të zezë, që vepron kundër vlerave kombëtare, pikërisht aty ku falet namaz. Ruajna Zot nga hijenat e kombit!