Dorëhiqet njeriu i dytë i Gjykatës Speciale

0

Pas skandalit me dosjet që u dërguan në zyrat e veteranëve të UÇK’së, media mëson ka dhënë dorëheqje njëri prej prokurorëve kryesorë të Hagës. Këto dosje, thuhet se kanë zbuluar emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre.

Zëvendësprokurori në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka dhënë dorëheqje, pasi mijëra dosje, që ndër të tjera, thuhet se përmbajnë emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre, kanë rënë në dorë të veteranëve të UÇK’së.

Gazeta ka kontaktuar sot Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth dorëheqjes së zëvendësprokurorit, por ZPO’ja ka preferuar të mos e komentojë këtë çështje.

Për një periudhë, zëvendësprokurori Ip e ka mbajtur pozitën e Prokurorit të Specializuar, pas largimit të David Schwendiman.

Në cilësinë e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka intervistuar pjesëtarë të UÇK’së që janë thirrur në Hagë si të dyshuar.

Media ka mësuar se skandali i dosjeve që u dërguan në OVL-UÇK është arsyeja e largimit të zv.prokurorit.

Ndërkaq çështja e mijëra dosjeve që organizata e vereranëve të UCK’së thotë se u kanë ardhur në zyrë është akoma krejt mister. Nuk dihet se nga kush u sollën, por udhëheqës të organizatës thonë se ajo përmban të dhëna nga hetimet që po i kryen Tribunali Special.

Organizata e veteranëve të UÇK’së, që e kundërshton ekzistencën e Tribunalit Special, thotë se në dosjet që u kanë ardhur në zyrë janë dokumente origjinale të Tribunalit.

Zyrtarë të Speciales e kanë bastisur hy herë zyrën e OVL-UCK’së dhe i kanë konfiskuar dokumentet që u kanë sjellë persona të maskuar dy herë brenda dy javëve.

Ip është avokat britanik me përvojë të gjerë si prokuror ndërkombëtar edhe në Ballkan Perëndimor. Ai ka qenë zëvendësi i Schwendiman edhe si Prokurori i Specializuar dhe si Kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), paraprijësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ip iu bashkëngjit TFHS-së në qershor 2012 si Zëvendëskryeprokuror dhe shërbeu si Kryeprokuror në Detyrë nga gusht 2014 në maj 2015 pas largimit të Kryeprokurorit të parë, Ambasadori Clint Williamson dhe para ardhjes së Schwendiman.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, heton krimet që pretendohet se janë kryer nga ish pjesëtarët e UCK-së, nga vitit 1998 deri në fund të viti 2000.

Kjo zyrë tashmë ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj presidentit Hashim Thaci dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, që përbënin udhëheqjen e UCK’së gjatë luftës në Kosovë./Express