Do ta presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas “do ta marrim çështjen në duart tona dhe do të hartojmë një statut të ri për Asociacionin”, tha Emilija Rexhepi, zëvendësja e kryeministrit Albin Kurti, i cili po merr reagim të ashpër ndërkombëtar për mbylljen e disa komunave paralele të Serbisë në vend pa u koordinuar me aleatët. Ardita Sinani, këshilltarja e shefit të Qeverisë së Kosovës nga Presheva kërkoi reciprocitet që shqiptarët në Luginë t’i gëzojnë të drejtat e njëjta. BE-ja tha se çështja e komunave paralele parashihej të zgjidhej në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Reagime të ashpra nga ndërkombëtarët po vijnë pasi Kosova i mbylli disa komuna paralele të Serbisë në vend. Reagimet që nisën fillimisht në lidhje me synimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ta hequr dinarin serb nga përdorimi, por u ashpërsuan pas konfirmimit nga ministri i Punëve të Brendshme për mbylljen e katër komunave paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.
Nga Brukseli thanë se kjo çështje është paraprarë të zgjidhet në dialogun me Serbinë dhe në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi tha të shtunën në një intervistë për Zërin e Amerikës se draft-statuti i propozuar nga Bashkimi Europian u jep serbëve “shumë të drejta” dhe se nëse do të themelohej një Asociacion sipas atij propozimi, do të dëmtonte shtetin. Tha se do ta presin vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë Serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë. Ne si qeveri kemi qëndrimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos bëjmë asgjë që shkon në dëm të shtetit tonë”, tha ajo.
Draft-statuti aktual, Rexhepi tha se “i jep shumë pushtet ekzekutiv Asociacionit dhe mund të vijë deri te krijimi i një shteti të ri brenda shtetit tonë”.
Ajo paralajmëroi se Qeveria do ta shkruajë draft-statutin e vet pas vlerësimit të Kushtetueses.
“Ne kemi bashkëpunim dhe kemi bisedime të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe rruga drejt BE-së është diçka që për ne ofron përparim dhe përspektivë dhe ne nuk do të heqim dorë nga ajo. Qeveria jonë padyshim do të mbështetet në Gjykatën Kushtetuese, do të presim qëndrimin e saj dhe më pas do ta marrim çështjen në duart tona dhe do të hartojmë një statut të ri për Asociacionin”, tha ajo.
Ndërkohë, Ardita Sinani, ish-kryetarja e Preshevës, e cila tash është këshilltare e Kurtit, shkroi në Facebook se “Serbia është ajo që po i shkel marrëveshjet, të firmosura nga ana e saj, si ato edhe për Luginën e Preshevës”.
Ajo argumentoi në postim se “Serbia nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë”, duke kërkuar reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Përfaqësimi/integrimi në institucionet shtetërore nënkupton ndërmarrjen e masave urgjente me të cilat do të sigurohej “pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore” në pajtim me “strukturën proporcionale të popullsisë së këtyre komunave””, shkroi Sinani.
“Natyrisht. Ky është pushteti i tyre autoritar. Kjo është politika e tyre hegjemoniste. Kundër integrimit të serbëve në Kosovë. Kundër integrimit të shqiptarëve në Serbi. Kundër bashkejetesës së serbëve me shqiptarët në Republikën e Kosovës. Për një Serbi, një Luginë të Preshevës, pa shqiptarë. Një politikë kundër paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Midis shqiptarëve dhe serbëve”, shkroi Sinani.
“Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në të gjitha skenarët e mundshëm”, ka shkruar këshilltarja e Kurtit, me mesazhin e qartë të përmbledhur në fund: “Kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës”.
Bashkimi Evropian ka reaguar sot me shqetësim për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë së fundmi, dhe i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialog.
BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga blloku.
Paraprakisht, ambasadori i SHBA-së në Kosovë reagoi të shtunën vonë, duke lëshuar një deklaratë ku thuhej se Qeveria e Kosovës po i rritë pa nevojë tensionet me veprimet e fundit.
Duke mbështetur reagimin e BE-së, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shkroi se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”.