Në Sarajevë sot ka pasur përpjekje për arrestimin e lideri serb të Republika Sërpska, Milorad Dodik, por aksioni u bllokua nën tensione nga ana e Policisë së MPB-së së Republikës Sërpska, përcjell INA.
Sipas burimeve nga media boshnjake, mbrëmjen e së mërkurës, zyrtarë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) kanë tentuar të arrestojnë liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore. Megjithatë, arrestimi u pengua nga forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.
Zyrtarë të SIPA-s kanë konfirmuar për portalin Klix.ba se gjatë operacionit janë përballur me kërcënime për përdorim të forcës, gjë që i ka detyruar të tërhiqen nga ndërhyrja. Ata kanë theksuar se veprimi i MUP-it të RS-së do të konsiderohet si vepër penale e kryengritjes së armatosur.
Në operacion nuk ka marrë pjesë njësia speciale e SIPA-s, por vetëm inspektorë. Gjithashtu, një automjet i misionit ndërkombëtar EUFOR u pa pranë vendngjarjes, por u largua menjëherë. Ndërkohë, sipas raportimeve të “Dnevni Avaz”, pjesëtarët e MUP-it të RS-së ishin të armatosur me armë të gjata.
Një gjykatë e Bosnjës më 18 mars ka lëshuar një urdhërarrest mbarëkombëtar për Milorad Dodik, presidentin e entitetit të Republika Serbe, si dhe për dy zyrtarë të tjerë të lartë.
Urdhri erdhi pasi Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij injoruan një urdhër-arresti të mëparshëm të lëshuar nga autoritetet shtetërore.
Të akuzuar për veprime të papajtueshme me Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës, Dodik, kryeministri i Republikës Serbe në BeH, Radovan Vishkoviq, dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, Nenad Stevandiq, janë nën hetim.(INA)