Drejt Brukselit, kundër përpjekjeve të influencës ruse në Maqedoninë e Veriut!

Nga Destan JONUZI

Vota e deputetëve të parlamentit të Maqedonisë së Veriut për propozimin francez, si një akt i një rëndësie historike për vendin, paqen dhe stabilitetin rajonal mund dhe duhej të ndodhte shumë kohë më parë. Arritjen e një kompromisi e penguan qëndrimet nacionaliste të sëmura të dy palëve dhe kjo pati një çmim të pamerituar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Votimi i propozimit francez bënë të mundur hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Vendimi për të ecur përpara drejt Brukselit është përgjigja më e merituar ndaj përpjekjeve ruse për të mbajtur Maqedoninë e Veriut si zonë të tyre të influencës. Faktori politik shqiptar ka luajtur një rol thelbësor në përputhje me vokacionin perëndimor të kombit shqiptar dhe interesin më të mirë të vendit në të gjitha zhvillimet e mëdha të mëparshme dhe të këtyre të fundit.

Faktori shqiptar është themelor për tre marrëveshje të rëndësisë së patjetërsueshme për proceset euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut: Marrëveshja e Ohrit (2001), thelbësore për demokracinë e brendshme shumë-etnike dhe anëtarësimin në NATO; Marrëveshja e Prespës (2018), jetike për mbylljen e një kontesti shumë të ndërlikuar dypalësh, anëtarësimi në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian; Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë (2017), themelor për mbylljen e kapitujve të hapur me një fqinj strategjik dhe tani edhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Pavarësisht dallimeve të brendshme partiake, faktori politik shqiptar ka pasur rol kyç në proceset demokratizuese dhe kontribut të hatashëm në orientimet gjeostrategjike të Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër Ballkani njihet për një të kaluar të zymtë dhe të brishtë historike, të përgjakur e me masakra. Historia e çdo populli që ka përjetuar dhunë, represion e torturë, agresorin e paraqet si armik, ndërsa në vendet (p.sh Serbia) të cilat kanë ushtruar agresion, dhunë dhe gjenocid (Kosovë, Bosnjë), në librat e historisë së tyre veprimet e tyre përshkruhet si triumfaliste dhe heroike. Tanimë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në këto ngjarje të tmerrshme, bëjnë përpjekjet e tyre të fundit që të futen nën ombrellën e Bashkimit Evropian (BE), si do të duket e nesërmja nëse fëmijët e sotëm vazhdojnë t’i shohin fqinjët me dioptri armiqësore. Për rrjedhojë a mund të krijohet një histori e përbashkët e popujve të Ballkanit?

Historia duhet të trajtohet përgjegjshëm te të gjitha shtetet, të deridjeshmet dhe të sotmet, në përputhje me kriteret shkencore, gjë kjo që bëhet në programet shkollore nga institucionet përgjegjëse për tekstet shkollore. Po qe se respektohet kriteri shkencor, atëherë nuk mund të ketë kurrfarë keqkuptimesh, ngaqë interpretimi i ngjarjeve dhe fakteve është pjesë e së kaluarës historike, që nënkupton objektivitet dhe jo fshehje të tij apo retushim. Sa i përket recetave evropiane ‘për pastrimin e historisë nga urrejtja’ dhe të ngjashme, mund të thuhet se këto janë qëndrime politike që nuk i ndihmojnë çështjes, pos që e ngatërrojnë.

Këtë problem e kanë tejkaluar para një shekulli popujt evropianë, dhe nëse edhe ne ballkanasit themi se jemi evropianë, do të duhej ta tejkalonim këtë pengesë pa eufori. Nëse ka elita shoqërore, intelektuale dhe akademike, të cilat e shohin realitetin në sy, për hir të së ardhmes, do të duhej të krijonin një rrëfim më objektiv dhe më shkencor për historinë e popujve ballkanikë, një histori pa hiperbolizime dhe pa shtrembërime të fakteve historike.