Nedai Shaholli
Të vemi të ngjërojmë leverditë e pushtetit apo jo! Kjo është dilema e madhe e kryealeancistit Taravari drejt koalicionit qeverisës me hajdutët e DUI-t!
Këto janë kalkulimet dhe hezitimet e fundit të aleancistëve pas dy vitesh në opozitë me komitët e VMRO-së nga të cilët fitoi dhe karrigen e kryekomunarit të Gostivarit.
Pas dështimit të përpjekjeve për rrëzimitn e qeverisë vitin e kaluar në një bashkërendim me komitët dhe ‘Levicën’, ku pretenduan se mblodhën 61deputetë imagjinarë për ta krijuar qeverinë e re, këtë radhë aleancistët i kanë lënë anash inatet me DUI-n kur deklaronin se nuk bëjmë koalicion në një qeveri që brenda së cilës bëjnë pjesë edhe hajdutët e korruptuar të DUI-t.
Dhe ja sot, aleancistët e Taravarit po lëpijnë atë që kanë mbështyrë dje, duke u qasur çdo ditë e më shumë pranë qeverisë së korruptuar të premierit Dhimo në godinën qeveritare, ku ata do të gjejnë në tavolinën e madhe mbledhjeve hajdutët dhe të korruptuarit e DUI-t si pjesë e koalicionit qeverisës!
Lakmia dhe babëzitja për pushtet dhe leverdi të tjera që burojnë nga pushteti qendror ka bërë që aleancistët e Taravarit të tundohen nga ngashënjimi i qeverisë me ofertën për t’i bërë ata pjesë të sofrës së tyre, të paktën sipas deklarimeve të premierit Dhimo dhe vet kryaleancistit Taravari.
Dhe sigurisht që në politik si zakonisht nuk ka qëndrime të ngurta që qëndrojnë gjatë kohë të mbyllura pa u hapur dhe jo fleksibël, ashtu siç nuk ka moral as vija të kuqe.
Ato shkelen në rastin e parë kur një mandatar i ofron pjesëmarrje në qeveri të koalicionit një partie politike të madhe apo e vogël, ku sipas interesave pragmatiste të partive politike ato janë të gatshme të thyejnë çdo barrierë që kanë përpara vetes për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës.
Ky është disponimi aktual i aleancistëve që ka nisur të mendohej prej disa muajsh duke rrëshqitur drejt qeverisë së koalicionit.