Banka Botërore, përmes projekteve të saj në Kosovë, po kontribuon në zhvillimin socio-ekonomik të vendit, përfshirë këtu një fokus të veçantë te të drejtat pronësore.
Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci, në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, ka folur pikërisht për kontributin e Bankës Botërore në zhvillimin e Kosovës dhe mundësitë që ofrohen për qytetarët e saj.
Ai fillimisht shprehu përshtypjet e tij për Kosovën, ku u shpreh se “jam i impresionuar nga ky vend, nga energjia pozitive, nga përkushtimi i njerëzve për të bërë kthesë në këtë vend dhe për ta krijuar një të ardhme më të mirë për vetveten dhe për gjeneratat e ardhshme”.
Paolucci gjithashtu vlerësoi përparimin që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë, duke nënvizuar se, “Kosova ka bërë një rrugë të gjatë drejt shndërrimit në një vend me të ardhura mesatare, duke filluar nga një bazë shumë e ulët.”
Sa i përket rolit të Bankës Botërore, Paolucci gjatë këtij podcasti sqaroi se misioni i saj është të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të nxitur prosperitetin.
Ai përmendi programet dhe projektet që janë duke u realizuar aktualisht në Kosovë, përfshirë kreditë e Bankës Botërore që arrijnë vlerën prej rreth 310 milionë dollarësh, dhe theksoi se: “Në këtë moment të veçantë, portofoli ynë i huadhënies, pra kreditë që kemi me qeverinë e Kosovës, me këtë vend, arrijnë vlerën prej pak më shumë se 310 milionë dollarëve dhe kjo në fusha të ndryshme, nga zhvillimi digjital e deri te uji e menaxhimi i burimeve ujore.”
Një nga projektet kyçe është ai i rindërtimit të të dhënave kadastrale, që Paolucci e shikon si një mundësi për të rritur sigurinë e të drejtave pronësore për qytetarët e Kosovës.
Ai theksoi rëndësinë e të drejtave pronësore për përfshirjen sociale dhe financiare, duke deklaruar se, “Kosova ka dalë nga një konflikt disa vite më parë dhe rikonstruktimi i të dhënave kadastrale është një çështje që do ta lehtësojë rindërtimin e strukturës sociale të vendit.”
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Massimiliano Paolucci shtoi se të drejtat pronësore janë vendimtare për individët që të bëjnë hapa drejt rrugës së zhvillimit social dhe ekonomik.
“Të drejtat pronësore zakonisht përdoren edhe si një mënyrë që njerëzit ta dëshmojnë identitetin e tyre, të kenë qasje në shërbimet sociale, të shkojnë dhe të kërkojnë kredi në ndonjë bankë”, tha Paolucci.