Drejtori i Juventusit rrëfen si lindi ideja për të blerë Cristiano Ronaldon

0

Drejtori teknik i Juventusit, Fabio Paratici, rrëfen detajet se si nisën bisedimet për të kryer transferimin e shekullit, që do të dërgonte në Torino, yllin portugez Cristiano Ronaldo.

Në një intervistë për “Sky Sport”, Paratici deklaron: “Ideja e “çmendur” për blerjen e Ronaldos, lindi pas ndeshjes çerekfinale që zhvilluam me Real Madridin, këtu në Torino, në të cilën Cristiano u duartrokit nga tifozët tanë pas golit që shënoi.

Gjatë asaj jave, bisedova me agjentin e tij dhe më tha që Cristianos i kishte bërë shumë përshtypje duartrokitja e tifozëve bardhezi, dhe një ditë do të dëshironte të luante për Juventusin.

Unë i thashë që duket si një fantazi, por më pas kur u takuam për çështjen e Joao Cancelos, biseduam më gjerë dhe aty kuptova që nuk ishte më thjesht një fantazi, por gjërat filluan të bëhen konkrete, duke hapur rrugën e transferimit të lojtarit më të mirë në botë në skuadrën tonë.

Më pas bisedova me presidentin dhe nisëm tratativat me Realin e Madridit. Kur dy institucione futbolli, si Real Madrid dhe Juventus kërkojnë të gjejnë marrëveshjen gjithçka bëhet më e thjeshtë”, deklaroi Paratici.