Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka fituar dhe atë me një diferencë të madhe ndaj partive tjera.
Për fitoren, ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti
“Fitore e padiskutueshme, me vota cep më cep.
Në 21 komuna prijmë si fitues, sipas rezultateve preliminare, pa votat me kusht dhe ato të mërgatës.
Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet.
Deri atëherë, do të kujdesemi për ruajtjen e secilës votë që na e keni besuar”, shkruan ai.
Analisti Xhavit Drenori, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Vetëvendosja është ajo e cila pati rënie në këto zgjedhje, por që realisht është fituesja.
Sipas tij, PDK kishte ngritje, kurse LDK-së, edhe pse kishte rritje në përqindje i duhet ndryshim siç e përmendi edhe kryetari i saj, kurse AAK ka pësuar rënie.
“Unë e kam bërë një ndarje mes asaj që quhet rënie të votave, ngritje të votave dhe fituesit të zgjedhjeve dhe humbësit të zgjedhjeve.
Sa i përket rënies së votave është evidente dhe këtë e lexon secili qytetar që Vetëvendosja ka rënie të votave në krahasim me vitin 2021 dhe arsyet besoj I kemi thënë shumë shpesh, që ka qenë një frymë e ndryshimit, vote ndëshkuese në 2021, në anën tjetër kemi ngritje të votave nga PDK dhe LDK që ka qenë e natyrshme, ndërsa aleanca për çudi ka pësuar rënie duke e pas parasysh që kësaj radhë në garë ka qenë me NISMA-n.
Ndërsa, sa i përket fituesve dhe humbëseve të zgjedhjeve prapë humbëse del vetëm aleanca për mendimin tim.
Tani fituese e zgjedhjeve reale është Vetëvendosja sepse e ka ruajt substancën, e ka ruajt shumicën e votuesve dhe tash këta numra të vitit 2025 mund të themi se është trup elektorale e Vetëvendosjes që realisht është bukur e madhe, pra, 40%, kurse dy partitë tjera nuk e bëjnë po atë numër po të bëheshin bashkë”, thotë ai.
Drenori, si parti fituese në ngritje të votave e sheh edhe PDK-në.