Dritan Abazoviç paralajmëron vizitë në Kosovë, ka disa fjalë edhe për kryeministrin Albin Kurti

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në një intervistë për analistin Mentor Nazarko ka komentuar dialogun Kosovë-Serbi, ku u shpreh se e përkrah maksimalisht. Sipas tij, pa njohje të ndërsjellë mes dy shteteve, nuk mund të ketë një zgjidhje të ngërçit.

“E përkrahamin maksimalisht dialogun, ne mendojmë që jashtë asaj nuk mund të gjendet zgjidhje. Dihet si ka me përfundu. Pa njohjen e dy shteteve, ky problem nuk mundet me u zgjidh. Maksimalisht, qeveria e Malit të Zi, unë personalisht, dhe të gjithë anëtarët e qeverisë, jemi që të dyja palët ta zgjidhin në mënyrë sa më demokratike…dhe të kemi një ardhmëri shumë më paqësore…”

Ndërsa, i pyetur për të përbashkëtat dhe ndryshimet që politikat e tij kanë me ato të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Abazoviç tregoi se diferencat lindin kryesisht nga rrethanat e ndryshme të dy shteteve.

Siç shpjegon vetë, politikat e tij kanë një frymë më evropiane krahasuar me ato të liderit të Kosovës.

“Kam një repsekt të jashtëzakonshëm për Kurtin. Ndoshta i kena pak politikat ndryshe. Politika ime është ma shumë e frymëzume në mënyrë evropiane. Nuk them se politika e Kurtit nuk është frymëzuar në atë drejtim. Por besoj se çështjet në Kosovë nuk janë njësoj si nga Mali i Zi dhe besoj se kjo ka ndikuar shumë në percepsionin e politikës. Mund të them që raportet me qeverinë e Kosovës, tani për tani i kemi shumë të mira. Pres shumë shpejt që të vizitoj Prishtinën. Shpresoj që edhe ata do ta japin një frymë të re atje.”