Dua Lipa i tregoi gjithë botës për pushimet në Shqipëri, “Daily Mail” i dedikon artikull artistes

Ka disa ditë që këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, po shijon pushimet në jug të Shqipërisë. Pasi vizitoi nga afër punimet që po zhvillohen për mobilimin e kopshtit në Tiranë me fondet që janë mbledhur nga shitja e bluzave “Lutu për Shqipërinë”, një iniciativë nga vetë këngëtarja në bashkëpunim me miqtë e saj, Dua nisi menjëherë pushimet.

25-vjeçarja po shijon rrezet e diellit dhe plazhin së bashku me familjarët, miqtë dhe të dashurin e saj, Anwar Hadid. E në profilin e saj në “Instagram” nuk nguron në asnjë moment që të promovojë bukuritë shqiptare. Ajo ka ndarë me miliona ndjekës foto e video të ndryshme nga këto pushime.

Dua ka postuar imazhe nga vendet ku ka vizituar në Shqipëri, e madje edhe një video ku shfaqet duke kërcyer nën ritmet e këngëve popullore shqiptare.

E sigurisht që pushimet e këngëtares me famë botërore, nuk kishin si të mos binin në vëmendjen e mediave të huaja, të cilat i kanë dedikuar një artikull Duas dhe Shqipërisë.

“Daily Mail” ka shkruar disa artikuj të ndryshëm për pushimet e yllit të muzikës, ku flet për pozat sensuale, veshjet me shumë stil dhe kërcimet e saj me muzikën e bukur shqiptare.

Duke përshkruar fotot dhe videot e Lipës, “Daily Mail” gjithashtu ka treguar edhe për origjinën e artistes dhe vendin ku janë realizuar këto imazhe.

Prestigjiozja nuk lë pa theksuar se këngëtarja e shumë hiteve botërore erdhi në Tiranë, për t’iu bashkuar nismës “Adopto një Kopsht”, pasi ndërtimi i kopshtit numër 42 në kryeqytet do të financohet nga “Sunny Hill Foundation”.