Duda Balje me porosi të prerë për Lajçakun

0

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e ka quajtur të papranueshme kërkesën e emisarit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, që Kosova të ndryshojë Kushtetutën për të implementuar Asociacionin e Komunave Serbe.
“Çdo përpjekje e cenimit të aktit më të Lartë shtetëror – Kushtetutës është akt i papranueshëm!”, ka thënë Balje.
Sipas saj një gjë e tillë nuk vjen fare në shprehje.
Reagimi i plotë i deputetes Balje:
“Porosi për ata që frymëzojnë ndërrime kushtetuese !
Shteti im Kosova është vatër e konfirmimit të fuqishëm të shtetit më afirmativ të të drejatve të komuniteteve joshumicë.
Çdo përpjekje e cenimit të aktit më të Lartë shtetëror – Kushtetutës është akt i papranueshëm!
Nuk mund të ketë e as që vjen në shprehje kurr kurfarë ndryshimi kushtetues.
Shembull tipik i lajthitjeve dhe lavirintit nga nuk mund të largohesh është Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë që është bërë kancer i BeH! Në Evropë nuk mund dhe nuk do të ketë edhe një ” Republika Sërpska” e konvertuar në ASK!
Ne boshnjakët e adhurojm atëdheun tonë Kosovën kështu siq është dhe i jemi falenderues përjetësisht për mundësin e barabart që na e ka dhënë! Do jemi krah për krahu me popullin shqipëtar në luftën për drejtësi dhe civilizim botëror!
Larg duart nga improvizimet siq është ” Republika Sërpska”!
Dhe për fund dy pyetje shumë domethënëse!
Si do të jetojnë komunitetet tjera jo sërbe në ASK – si është kjo e rregulluar ?
Kur do të arrihet konsenzusi minimal i partive politike shqiptare në raport me Sërbin?” (sic), ka shkruar Balje.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçak ka përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.
“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”, ka thënë Lajçak në Beograd me 15 tetor.
Kjo deklaratë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, mirëpo jo edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Time Kadriaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e paprekshme.
Kurse, në partinë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, thonë se në takimin me Lajçakun, është diskutuar për procesin e dialogut, por jo edhe për Asociacionin.