Dueli final Abazoviç – Gjukanoviç: Kush fiton në fund?

Milo Gjukanoviçi, ndoshta për herë të parë në 30 vitet e qeverisjes së tij të gjatë, ku realisht është treguar një mjeshtër i madh politik, këtë radhë është nxituar.

Shkarkimi që ai i bëri qeverisë së Dritan Abazoviç, duket ka qenë lëvizja më e gabuar, e cila potencialisht po e çon në “shah- mat”.

Çfarë po ndodh në Podgoricë?

Pas shkarkimit të qeverisë së Dritan Abazoviçit, kryeministri në detyrë, ra dakord që bashkë me partitë proserbe të propozonin Miodrag Lekiç për kryeministër të vendit.

Abazoviç dhe formacioni i tij politik Ura, nuk u paraqitën në konsultimet me Presidentin e Malit të Zi, ç’ka procedurialisht do të thotë se kjo forcë nuk mund të quhet pjesë e qeverisë së re.

Kështu Gjukanoviç, nuk pranoi që të emërojë përfaqësuesin e mazhorancës, ku kishin firmosur 41 deputetë, që pëbëjnë edhe shumicën e parlamentit prej 80 vendesh në Mal të Zi.

Si përgjigje, mazhoranca ka paraqitur një kërkesë zyrtare për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, e cila sipas gjasave do të ndodhë si me Ilir Metën në Shqipëri. Që do të thotë se nuk do të shkarkohet dot, pasi Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, e cila ka kompetencë për të shkarkuar kreun e shtetit, nuk ka kuorumin e duhur për të marrë vendim.

Deri më sot Parlamenti i Malit të Zi, nuk ka arritur dot të zgjedh anëtarin e ri të Kushtetueses. Por Dritan Abazoviç, insiston që të votohet mocioni i shkarkimit në Kuvend, që ku i fundit të ndërmarrë një qëndrim politik. I cili për Milo Gjukanoviçin, nuk është gjë tjetër veçse vula e rëndë e largimit të pashmangshëm nga politika.

Si Ilir Meta, edhe Milo, tentoi të mos largohet kur i erdhi koha, por me veprime dinake synoi të dëmtojë kundërshtarin e tij më të fortë- shqiptarin nga Ulqini, Dritan Abazoviç. I cili sot është realisht një ‘kingmaker’, e asnjë qeveri nuk mund të zgjidhet pa 4 “votat e tij të arta” në Parlament- qoftë nga nacionalistët dhe pakicat, apo edhe nga shumica proserbe.

Gjukanoviç i ka kërkuar Parlamentit që të shkurtojë mandatin e legjilsativit, duke bërë të mundur kështu afrimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por gjasat janë që, Parlamenti të mos e miratojë këtë nismë, e cila përbën lëvizjen e fundit të Milos.

Gjukanoviç siç duket kërkon që zgjedhjet parlamentare, të mbahen menjëherë me ato presidenciale që janë vitin e ardhshëm.

Por si fillim janë zgjedhjet lokale që zhvillohen këtë tetor, ku sipas gjasave partia e Gjukanoviçit do të pësojë disfatë të fortë, e që do të ndikojë padyshim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023. Ku Milo, është i detyruar të kandidojë një emër të ri nga partia e tij, që sa vjen e dobësohet. Kjo, jo vetëm brenda vendit, por mbi të gjitha në arenën ndërkombëtare. Nuk është më Milo, “hirushja” e amerikanëve që e përkëdhelin atë si një asset të vetëm në Podgoricë.

Dritan Abazoviç, u zgjodh kryeministër si investim amerikan, e largimi i tij, duket nuk është pëlqyer nga ndërkombëtarët. DPS e Gjukanoviçit pati premtuar se do ta mbështesë nga jashtë, si një zgjidhje për të ruajtur kursin perëndimor të Malit të Zi.

Abazoviç, është pritur nga shumë zyrtarë të lartë në Uashington, e në fund ka takuar edhe George Soros, një emër me mjaft influencë, sidomos për Ballkanin dhe Europën Lindore e Qendrore.

Pas kësaj, Milo ka nisur një sulm të radhës ndaj Dritanit, nëpërmjet mbështetësve të tij, duke e konsideruar si “shërbëtor i Vuçiçit”. Megjithatë, këto akuza nuk se pijnë shumë ujë në një terren si Mali i Zi, madje edhe mund të të rrisin pikët. Abazoviç i ka provuar të dyja: herën e parë e kanë quajtur ‘çetnik’ kur ju dha fitoren filoserbëve, ndërsa kur u bë kryeministër me votat e Gjukanoviçit e shanë një “tradhëtar shqiptar”. Gjithsesi, ai sot është protagonist i lojës politike në Podgoricë, e gjasat e shohin edhe si presidenti më i mundshëm në zgjedhjet e vitit të ardhshëm…/Pamfleti