Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së 2025 mbajti punimet këtë të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit, Tiranë, duke bërë bashkë të gjitha strukturat përfaqësuese të futbollit shqiptar.
Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), mbajti fjalim para të pranishmëve, ku ndër të tjera foli edhe për ndeshjet e Kombëtares kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
“Kualifikueset për Botërorin USA 2026 na vendosen përballë një grupi tepër të vështirë me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra ku pas katër ndeshjesh kemi grumbulluar 5 pikë dhe jemi në vendin e dytë”, tha Duka fillimisht.
“Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë treguam karakter, guxim dhe cilësi, edhe pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë”, theksoi ai.
“Jemi ende në garë, tashmë jo më si favoritë dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë që na presin”.
“Por ekipi do të luftojë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në Tiranë, duke shpresuar fort që ajo të jetë një finale vendimtare”.
“Kam besim të plotë te futbollistët tanë, te stafi teknik dhe administrativ i FSHF-së, por edhe te publiku që na mbështet pa kursim”.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe do t’u jem përjetësisht falënderues djemve të ekipit kombëtar për emocionet e paharrueshme që na kanë dhuruar”.
“As ata dhe as ne nuk kërkojmë të quhemi ‘heronj’ kur fitojmë, por as ‘tradhtarë’ kur humbasim, sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes të të quajturit ‘patriotë’”.
“Jemi thjesht një skuadër që jep maksimumin në një lojë të bukur, ku fitorja, barazimi apo humbja janë pjesë e saj”.
“Kritika është e natyrshme pas një humbjeje, por nuk duhet të bëhet një rast i pritur me padurim për të zbrazur mllefin në emër të nacionalizmit dhe patriotizmit”, përfundoi Duka.