Me qëllim të qartësimit të situatës dhe për të përgënjeshtruar analizën e Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA, Komuna e Tetovës bën të ditur shifrat e shpenzimeve për vitin 2022 dhe 2023.
Kryetari i këshillit komunal, Besar Durmishi dha detajet e shpenzimeve për të dy këto vite:
“Udhëtimet brenda dhe jashtë vendit për kryetarin, administratën, kryetarin e këshillit të komunës dhe këshilltarët kanë kushtuar në total 11,209 euro. Kjo shifër është paraparë në buxhetin e vitit 2022 dhe përfshin të gjitha shpenzimet e udhëtimit për përfaqësuesit e komunës.
Në lidhje me shkollat e mesme dhe fillore, shpenzimet kanë arritur në një shumë totale prej 320,733 euro. Shkollat e mesme kanë shpenzuar 266,826 euro, ndërsa shkollat fillore janë mbështetur me 53,907 euro, të gjitha nga programi Erasmus i Bashkimit Evropian. Rëndësia e këtyre fondeve vjen nga dedikimi i tyre në formën e dotacioneve, të cilat nuk përfshihen në buxhetin e përgjithshëm të Komunës së Tetovës.
Për vitin 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpenzuar gjithsejt 5900 euro, shpenzimet e këshillit të Komunës së Tetovës janë 1317 euro, ndërsa administrata ka harxhuar gjithsejt 11,800 euro. Kjo shumë përfshin edhe trajnimet e zjarrëfikësve në Angli dhe trajnimin e disa administratorëve për projektin e digjitalizimit në Kroaci”, theksoi Durmishi.
Sipas tij, me këtë transparencë, Komuna e Tetovës shpreh zotimin e saj për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të ndershëm me qytetarët dhe mediat.(INA)