Dy anije luftarake të NATO-s në Durrës, stërvitje me forcat shqiptare

0

Dy anije luftarake, pjesë e misionit të reagimit të shpejtë të NATO-s, po qëndrojnë në brigjet shqiptare, në kuadër të 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut.

Fregata holandeze dhe ajo kanadeze do të qëndrojnë për dy ditë në Durrës, ku është parashikuar edhe një stërvitje e përbashkët me forcat detare shqiptare.

Komandanti i Fregatës Holandeze, Sjoerd Feenstra, ka deklaruar se vizita dhe stërvitja është vlerësim për kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s

“Në kuadër të 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, jemi këtu për të vlerësuar kontributin tuaj. Në këtë kuadër do të zhvillojmë edhe një stërvitje të përbashkët. Theksoj se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes vendeve anëtare të aleancës”, ka thënë Feenstra.

Për 10 vjet të të qenit anëtare e NATOS, Shqipëria ka marrë pjesë në misionet e NATO-s në disa vende të botës. Në këto misione kanë dhënë jetën tre pjesëtarë të forcave shqiptare. Feti Vogli e ka humbur jetën në Afganistan, kurse Zarife Hasanaj dhe Klodian Taushi e humbën jetën në fillim të këtij muaji në Letoni.

Forcat detare shqiptare janë pjesë e misionit për shpëtimin e emigrantëve në Detin Egje.