Dy befasitë e Albinit në SHBA

Thirrja e Kurtit për Bosnjën dhe propozimi për Kosovën në KE në vend të Rusisë

Te Sheshi
Dy befasitë e Albinit në SHBA
Thirrja e Kurtit për Bosnjën dhe propozimi për Kosovën në KE në vend të Rusisë
Nga TE SHESHI 19/05/2022 Reading Time: 3 mins read
A A
Dy befasitë e Albinit në SHBA
48
SHPËRNDARJE
Në një bisedë të organizuar nga Këshilli Atlantik me rastin e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka frikë se një situatë destabilizuese mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor në dritën e ngjarjeve në Ukrainë. Këtu ai përmendi veçanërisht Serbinë dhe Bosnjen, entiteti i Republika Srpska-s si elemente shqetësuese.

“Në këtë moment kemi Serbinë, e cila është përfaqësuese ruse në rajon, dhe në Beograd kjo po reflektohet me manifestime proruse, ku marrin pjesë edhe disa ministra në qeveri dhe anëtarë të partisë SPS në pushtet. Republika Srpska në Bosnje është ende e kontrolluar nga Moska, por edhe nga Beogradi”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shpjegoi se si e sheh aktualisht situatën në Bosnje dhe si i sheh aktivitetet e Republika Srpska brenda Bosnjes.

“Nuk mendoj se kemi vetëm një Kaliningrad mes Polonisë dhe vendeve baltike. Ne kemi dhe një tjetër në Ballkan, Republika Srpska-s. Republika Srpska është një krijesë e gjenocidit, jo vetëm në Srebrenicë. Pra, ata kryen gjenocid ndaj boshnjakëve dhe më pas krijuan republikën e tyre.

Dhe tani ata po abuzojnë me një marrëveshje paqeje, si Marrëveshja e Dejtonit, për ta bërë Bosnjën jofunksionale. Kremlini po synon shtetet e dështuara. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të forcohet Sarajeva.

Dhe unë mendoj se Republika Srpska nuk duhet të jetë e pavarur nga Bosnja, ajo duhet të jetë e pavarur nga Beogradi dhe Moska. Pra, ne jemi të shqetësuar sepse ka një autokraci në Republika Srpska dhe një lider, i cili ka lidhje të drejtpërdrejta me Moskën.

Në fakt nuk kalon fare nga Beogradi. Pra, ne po e ndjekim me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve, por besoj se BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Bosnjës sesa Kosovës”, arsyetoi i pari i qeverisjes kosovare.

Ai po ashtu tha se pret që në periudhën e ardhshme të vazhdojë presioni mbi Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe NATO do të vazhdojnë të mbrojnë Kosovën dhe zonat e tjera në rajon. Kurti konfirmoi edhe një herë se vendi i tij ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe se dëshiron të vazhdojë rrugën e tij drejt NATO-s.

“Është shumë mirë që Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, në fakt është pezulluar anëtarësimi.

Dhe nuk mendoj se do të kishte shembull më të mirë të kohës në të cilën jetojmë sesa ta zëvendësojmë Federatën Ruse me Kosovën. Nëse jeni vërtet në anën e paqes dhe demokracisë, kjo është gjëja e duhur për të bërë, pra eliminimi i Federatës Ruse dhe zëvendësimi i saj me Republikën e Kosovës.

Megjithatë, i takon vendeve atje të vendosin. Shpresoj që zemrat e tyre të jenë në anën e duhur dhe të kenë thellësi të mjaftueshme për të vlerësuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova është në zemër të Ballkanit. Gjithmonë kemi mbajtur qëndrueshmëri, durim dhe vullnet të mirë ndaj BE-së dhe tani është koha ta shpërblehemi për këtë”, theksoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha gjithashtu se nuk dëshiron të diskutojë për ndryshimin e territorit me Serbinë, duke shtuar se ka marrëdhënie shumë të mira me disa vende të rajonit, por se ka marrëdhënie jonormale me Serbinë që do të duhet të normalizohen në të ardhmen. /tesheshi