Dy këngëtarë maqedonas anuluan performancën në kremtimin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit

Një ditë pas Antonia Gigovskës, edhe këngëtari i estradës Vlado Janevski e anuloi performancën e tij në Festivalin e Paqes, kushtuar 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Janevski ishte në listën e yjeve të muzikës vendase dhe të huaja që do të performonin më 13 gusht në sheshin Skënderbej.

Ekipi menaxhues i këngëtarit sot në rrjetet sociale kishte një njoftim zyrtar ku thuhet se Janevski nuk do të performojë, përcjell INA.

Më herët këngëtarja Antonia Gigovska ka anuluar performancën e saj pasi siç ka thënë në njoftimin e saj nuk dëshiron të jetë pjesë e manifestimeve që kanë të bëjnë me politikën.

Festivali do të mbahet nesër në sheshin Skënderbej në Shkup. Kostot totale për kremtimin e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë do t’i kushtojnë shtetit 70 mijë euro.(INA)